Presidenti i këtij vendi bëhet lideri i parë shtetëror që vdes nga koronavirusi

Mjekët e spitalit ku ishte dërguar presidenti i Burundit, Pierre Nkurunziza, kanë thënë se ai ka vdekur nga koronavirusi, ndonëse fillimisht qeveria kishte thënë se lideri vdiq nga sulmi në zemër.

Mjekët e spitalit universitar Kamenge në Bujumbura i thanë agjencisë AFP se kreu i Institutit të Shëndetit Publik e kishte kërkuar ventilatorin e vetëm të spitalit dhe shefin e shërbimit të reanimacionit në emër të presidencës të hënën në orën 10 të paradites.

Presidenti tashmë i ndjerë ishte dërguar në një spital në Karusi, por ishte bërë vonë, sepse ai kishte vdekur, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Dyshimet se Nkurunziza vdiq nga COVID-19 ishin të larta pasi bashkëshortja e tij muajin e kaluar u dërgua në spital për shkak të infektimit me virusin e ri. Në një dokument mjekësor, të parë nga agjencia AFP, thuhet se ajo kishte dalë pozitiv në testin për koronavirus.

Vendi i vogël afrikan njoftoi për vdekjen e papritur të presidentit të martën e kaluar dhe shpalli një javë zie. Qeveria ende nuk ka treguar për datën kur do të varroset Nkurunziza.