Rusia njeh si shtete të pavarura Donetskun dhe Luhanskun, Putin firmos dekretin: ‘Një vendim që duhet ta kisha marrë kohë më parë’!

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka bërë zyrtare njohjen si shtete të pavarura të Luhanskut dhe Donetskut, rajoneve juglindore të shkëputura nga Ukraina 8 vite më parë.

Në një konference “live” për popullin e tij, ai tha se ky është një vendim që duhet ta kishte marrë kohë më parë, ndërsa u bëri thirrje zyrtarëve të Kievit të ndalin sulmet në këto rajone, pasi do të jenë përgjejgës për gjakderdhjen që do të vijojë.

“E shikoj të nevojshme të marr një vendim që duhet ta kisha marrë kohë më parë. Të njoh menjëherë pavarësinë dhe sovranitetin e Donetskut dhe Luhanskut. Dua t’i kërkojë asamblesë ta përkrahë këtë vendim dhe ta firmosë. Ata që janë në pushtet në Kiev, u themi të ndalin sulmet menjëherë, në të kundërt do të jenë përgjegjës për gjakderdhjen e mundshme në vijim. Jam besimplotë se do të kem mbështetjen e popullit të Rusisë”, u shpreh Putin.

Ky vendim i Putin pritet ta tensionojë edhe më shumë situatën në këto rajone, pasi sipas draftit, Rusia do të vendosë ushtrinë e saj në Donetsk dhe Luhansk, që do të thotë se përplasja mes dy shteteve të jetë më afër se kurrë./Fokusi.info/