Presidenti i ri i Kosovës, mes marrëveshjes politike dhe zgjedhjeve të parakohshme

Në Kosovë nga 4 nëntori ka filluar të kalojë afati prej 6 muajsh brenda të cilit vendi duhet të bëhet më president të ri, apo të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi për t’u përballur me akuzat për krime lufte në Hagë, kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani mori përsipër postin e ushtrueses së detyrës së presidentes që sipas kushtetutës mund ta ushtrojë jo më shumë se gjashtë muaj.

Kryeministri Avdullah Hoti paralajmëroi bisedime me partitë politike për të siguruar pajtimin për presidentin e ri të vendit, zgjedhja e të cilit kërkon dy të tretat e votave ne parlamentin 120 vendesh. Në të kundërtën tha ai vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

“Ende nuk kemi fillua konsultimet e brendshme me partitë politike për të parë cili është disponimi. Kemi dëgjua disponime dhe deklarime publike të partive të ndryshme karshi kësaj teme, po besoj që së shpejti për disa ditë apo javë ulemi të gjitha partitë parlamentare dhe duhet të flasim si njerëz të civilizuar, si parti politike të përgjegjshme për të gjetur zgjidhje për qytetarët”, tha ai.

Deri më tani Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka propozuar kryetarin e saj, Ramush Haradinaj për postin e presidentit. Partitë tjera ende nuk kanë paraqitur ndonjë kandidaturë, ndërsa lëvizja Vetëvendosje kërkon që së pari të mbahen zgjedhjet e reja e pastaj të zgjidhet presidenti.

“Pas zgjedhjeve të reja mund të kemi president të ri dhe qeveria e vjetër nuk e ka as legjitimitetin as autoritetin as kredibilitetin për iniciativa të tilla”, tha gjatë fundjavës, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Zgjedhja e presidentit megjithëse posti i tij është ceremonial, është përcjellë me shumë debate sepse partitë politike e kanë bërë pjesë te negociatave për krijimin e koalicioneve qeverisëse. Kjo është arsyeja pse analistët në Prishtinë e shohin sfiduese zgjedhjen e presidentit të ri.

Analisti Arton Demhasaj thotë se procedura e zgjedhjes së presidentit është e vështirë dhe kërkon konsensus politik për një gjë të tillë.

“Tash për tash në situatën të cilën gjendemi është e domosdoshme që të paktën edhe një parti opozitare me pas një marrëveshje me partitë aktuale të koalicionit në mënyrë që me u konsiderua që ka me përfundua me sukses procesi i përzgjedhjes së presidentit përndryshe nëse nuk do të ketë marrëveshje në mes partnerëve aktual të koalicionit me të paktën një parti opozitare atëherë procesi i zgjedhjes së presidentit mundet të dështoj dhe kjo mund të pasoj me prodhua zgjedhje të parakohshme”, tha ai.

Analisti, Faton Abdullahu thotë se partitë politike duhet të tejkalojnë dallimet dhe të zgjedhin presidentin që do të ishte i pranueshëm për shumicën e qytetarëve. Ai thotë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje.

“Nuk do të duhej të ishte kështu dhe është jo fer ndaj qytetarëve të Kosovës, ndaj gjendjes në të cilën jemi, ndaj përballjes me Serbinë prandaj kjo situatë tejkalohet me një marrëveshje shumë të thjeshtë dhe marrëveshje që është legjitime për të pasur një president për pesë vitet e ardhshme”, tha Abdullahu.

Koalicioni aktual qeverisës përballet me mungesë votash për zgjedhjen e president të vendit, për zgjedhjen e të cilit kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve në seancë.

Demhasaj thotë se mungesa e gatishmërisë së disa subjekteve politike për të shkuar në zgjedhje mund të sigurojë kompromisin për të zgjedhur një president të ri të vendit.

“Momentalisht kemi LDK-në e cila në një mënyrë apo tjetër nuk i konvenon shkuarja në zgjedhje për shkak të rezultatit të dobët që po vërehet që ka në sondazhe dhe njëkohësisht duke marr parasysh që edhe Partia Demokratike tashmë edhe lideri i saj dhe ish lideri i saj janë të akuzuar për krime lufte në Dhomat e Specializuara në Hagë mendoj që këto dy parti politike nuk janë të gatshme me bo zgjedhje dhe me gjasë do të shohim një kompromis që ka mu arrit të paktën mes këtyre dy partive politike dhe me gjasë edhe përfshirjen e AAK-së, Nismës Socialdemokratike dhe dhe deputetëve tjerë të minoriteteve që me ardh deri tek te zgjedhja e presidentit”, tha Demhasaj.

Ndërsa Abdullahu parashikon përfshirjen amerikane për të ndihmuar gjetjen e një zgjidhjeje.

“Me një unitet më optimal tek ne dhe me një zgjatje dorës ashtu siç dinë ta bëjnë Shtetet e Bashkuara ne do të tejkalojmë edhe këtë situatë, jo me zgjedhje por marrëveshje që është legjitime dhe ma merr mendja që me Washingtonin zyrtar do të tejkalojmë”, tha Abdullahu.

Analistët thonë se zgjedhja e presidentit të ri pa zgjedhje nuk do të mund të bëhet pa një marrëveshje paraprake të koalicionit aktual qeverisës me një nga partitë opozitare në parlamentin e Kosovës. /VoA