Presidentja e Kosovës: Liria jonë qëndron mbi sakrificën e heronjve e ndihmën e miqve tanë

Me rastin e 12 qershorit, 24 vjetorit të çlirimit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti, organizuan pritje shtetërore për korin diplomatik të akredituar në Kosovë dhe mysafirë të tjerë të shumtë.

Presidentja Osmani deklaroi se me 12 qershor 1999, Kosova fitoi të drejtën thelbësore të ekzistencës e cila formoi identitetin dhe përmbushi aspiratën shekullore dhe përcaktoi fatin kolektiv.

Ajo tha se Dita e Paqes, që njihet edhe si Dita e Çlirimit është datë e rëndësishme në historinë e re të Kosovës.

“Kjo ditë shërben si një kujtesë e triumfit të shpirtit njerëzor mbi prangat dhe sakrificën e pareshtur për liri”, tha presidentja Osmani, në fjalën e saj.

Ajo theksoi se kjo ditë përmbyllë një kapitull të errët të së kaluarës. “Dhe është dëshmi e vullnetit të paepur të atyre që luftuan për çlirim dhe të durueshmërisë së atyre që duruan tmerret e robërisë”, tha presidentja e shtetit.

Ajo tha se në një ditë si kjo, kujtohet me respekt kontributi i jashtëzakonshëm i heronjve tanë, martirëve, vajza dhe djemve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë.

“Aleatëve tanë që e bën të mundshme, realizimin e ëndrrës sonë për liri e për shtet”, tha presidentja Osmani. “Faleminderit të gjithëve. Liria jeni Ju”.

Duke rikujtuar përpjekjet e shumë gjeneratave të patriotëve shqiptarë të ngritur kundër shtypjes dhe për të drejtat njerëzore, Osmani tha se shumë nga ta janë bërë gur themel për lirinë tonë.

“Nga Isa Boletini e Hasan Prishtina, te presidenti historik, Ibrahim Rugova e komandanti i UÇK-së, Adem Jashari me familje, kombit dhe republikës i shërbyen me nder e pa kursyer asgjë, duke u shndërruar në simbole të shpresës, guximit e qëndrueshmërisë”.

Në fjalën e saj, presidentja Osmani nuk la pa përmendur e falënderuar edhe aleatët e Kosovës, më në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Lirinë e çmuar e arritëm me solidaritetin dhe mbështetjen e miqve tanë nga e gjithë bota”, tha Osmani.

Ajo tha se aleatët tanë ishin avokatët e Kosovës në ditët më të errëta dhe luajtën rol të jashtëzakonshëm në mbështetjen e luftës sonë për liri.

“Sot e përjetësisht u jemi mirënjohës”, tha presidentja Osmani. /RTK