Prezantohen provat e rastit “Toka”, prokurori thotë se shuma e të hyrave është në kundërshtim me veprimtarinë e të akuzuarve

Prokurori special, Naim Abazi, në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka filluar që të prezantojë listën e provave, me të cilat e mbështet aktakuzën e rastit “Toka”.

Në këtë rast, për vepra të ndryshme penale që lidhen me krimin e organizuar akuzohen ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla dhe 16 persona tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi në seancën e 17 dhjetorit 2019, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra kishte kërkuar nga prokurori special Naim Abazi që të bëjë kategorizimin e provave, në mënyrë që të listohen dhe t’i dorëzohen gjykatës me shkrim, ky i fundit kishte prezantuar disa nga provat materiale.

Ai si provë të parë ka prezantuar provat nga urdhri për regjistrimin e thirrjeve telefonike dhe porosive tekstuale me SMS, sipas urdhëresave të Gjykatës Themelore në Prishtinë, provat për zbulimin e të dhënave financiare, si dhe provat nga urdhri për sekuestrimin e pasurisë në bazë të urdhëresës së kësaj gjykate.

Prokurori Abazi, ka përmendur edhe provat materiale nga dosjet gjyqësore apo aktvendimet e gjykatave kompetente, provat materiale lidhur me dokumenteve kadastrale, si dhe provat materiale që ishin siguruar përmes ndihmës juridike ndërkombëtare.

Në lidhje me provat nga urdhri për regjistrimin e thirrjeve telefonike dhe tekstuale me SMS, sipas prokurorit Abazi, do të vërtetohet se këto urdhëresa ishin zbatuar me urdhrat e ligjshëm që kishte dhënë kjo gjykate.

Ai tha se për të akuzuarit ishte lëshuar një urdhër për hetim financiar nga ku kishte rezultuar se pasqyra dhe qarkullimi i të hyrave financiare ishin në kundërshtim me veprimtarinë dhe aktivitetet që të akuzuarit e kishin deklaruar.

Sipas prokurorit, ishte vërtetuar se shumat e parave që të akuzuarit i kishin qarkulluar mes shitësve dhe blerësve, ishte përtej dyshimit se kishin të bëjnë me krim ose me vepra penale, për të cilat ishin kryer apo ishin përgatitur që të kryheshin.

Ai tha se disa prej dokumenteve të konfiskuara ishin relevante për rastin dhe ishin dëshmi vërtetuese si: bastisja e Shaban Syles, brenda objektit të Burgut të Dubravës, ku ai ishte në vuajte të dënimit për një rast tjetër si dhe bastisjes në shtëpinë e tij në Kisharekë.

Prokurori Abazi, tha se nga i akuzuari Shaban Syla ishte konfiskuar padia nga anëtarët e familjes Pantiq në Gjykatën Komunale në Prishtinë, lidhur me një parcelë në “Veternik”, të cilën gjykata në shtator 2008, kishte vërtetuar se i akuzuari Shaban Syla nuk kishte qenë fare palë në këtë lëndë dhe nuk kishte pasur të drejtë të këtë qasje në dokumentet e rastit, që sipas prokurorit, posedimi i kësaj padie konfirmon lidhjen e tij të jashtëligjshëm me zyrtarët publikë.

Ai përmendi edhe autorizimin e 6 gushtit 2012, lëshuar nga Ilaz Syla në favor të Enver Qoqaj, për të vepruar në emër të tij lidhur me një parcelë në “Veternik”, autorizim i cili sipas prokurorit special, nuk ishte zbatuar, ngase me 24 gusht 2012, Ilaz Syla ia kishte shitur këtë parcelë Enver Qoqajt, në çmim prej 2.48 euro për metër katror, ndërsa me 25 qershor 2013, Qoqaj e kishte blerë një tjetër parcelë, e cila kishte pasur vlerë të njëjtë për metër katror, por që kishte ndryshuar çmimi, prej 39.61 euro për metër katror.

Mirëpo, derisa prokurori Abazi ishte duke prezantuar provat, kërkoi fjalën mbrojtësi i të akuzuarit Shpresim Uka, avokati Afrim Salihu, i cili tha se mbrojtjes nuk i ishte dorëzuar lista e provave, të cilat prokurori Abazi ia kishte dorëzuar gjykatës, duke kërkuar që kjo listë t’i dorëzohet edhe mbrojtjes.

Por, prokurori Abazi tha se ai këtë listë ia kishte dorëzuar gjykatës me shkrim përmes e-mailit, më 9 janar 2020, por jo edhe mbrojtjes, pasi kishte shpresuar që gjykata do t’ua përcjellë palëve listën e provave.

“Prokuroria ka qenë transparente dhe ka përmbushur obligimin dhe me kohë, pavarësisht punës intensive këtë shkresë e kemi dorëzuar tek kryetari i trupit gjykues më 9 janar 2020, përmes komunikimit elektronik duke shpresuar se gjykata do ta përcjellë palës mbrojtëse siç procesverbalet”, ka thënë prokurori Abazi.

Mirëpo, gjykatësi Kalludra ka kërkuar nga prokurori që përveç listimit, kategorizimit dhe precizimit të provave, t’i evidentojë të njëjtat në shifër dhe numër konkret dhe të jap arsyetim përkatës, e pastaj të njëjtat t’ia dorëzojë gjykatës dhe palëve me anë të një parashtrese, në mënyrë që t’i jepet mundësi mbrojtjes kundërshtimi i këtyre provave në seancën e radhës.

“Nuk mund ta dënojë dikënd apo ta lirojë me prova të përgjithshme, nuk pranoj prova abstrakte, aktakuza me listim të provave nuk kalon, ne nuk mund të vazhdojmë pa u precizu këto dhe pa u siguru palët, prokuroria duhet t’ua dorëzojë palëve”, ka thënë gjykatësi Kalldura.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 19 shkurt 2020, në ora 09:00.

Ndryshe, ky shqyrtim nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it.

Më 12,13 dhe 15 dhjetor të vitit 2016, ishte mbajtur seanca fillestare, në të cilin Azem Syla dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Pas seancave fillestare, mbrojtja brenda afatit prej 30 ditësh, kishte paraqitur kundërshtimet e tyre për provat dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës.

Kryetari i atëhershëm i trupit gjykues, gjykatësi Arkadiusz Sedeck, pasi kishte pranuar kundërshtimet e mbrojtjes, kishte refuzuar të njëjtat dhe më 4 prill 2017, kishte konfirmuar aktakuzën në shkallën e parë, ndërsa pas ankesave në Gjykatën e Apelit, shkalla e dytë e kishte konfirmuar aktakuzën më 26 tetor 2017.

Sedeck, fillimin e shqyrtimit gjyqësor e kishte caktuar, pas më shumë se një viti nga vendimi i Apelit, më 9 janar 2018, por e njëjta kishte dështuar për shkak të mosplotësimit të trupit gjykues.

Edhe pse kishte caktuar shumë seanca të tjera, gjyqtarët e EULEX-it nuk kishin mundur që të fillojnë këtë shqyrtim, pasi EULEX-i hoqi dorë nga ky rast dhe lënda kaloi të gjyqtari vendor Beqir Kalludra.

Ndërsa, pas disa dështimesh seanca e parë e këtij shqyrtimi ishte mbajtur më 3 shtator 2018, ndërsa fjala hyrëse në këtë rast ishte dhënë në seancën e 25 qershorit 2019.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njejtit është veçuar procedura.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.