Prishtinasit rrudhin xhepin, blejnë vetëm produktet elementare

Për të blerë produktet bazike ushqimore e ato higjienike, tani qytetarët duhet shpenzuar më shumë para në krahasim me 2021-ën. Të paktën këtë e kanë vërejtur kryeqytetasit nga kuleta e tyre.

Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga vetë Agjencia e Statistikave të Kosovës, e cila ka bërë me dije se inflacioni arriti vlerën e 12%-shit në dhjetorin e vitit të kaluar në krahasim me paraprakun, raporton “Ju Flet Prishtina”.

Çmimi i vajrave u rrit për 30%, i vezëve për 27%, buka e drithërat për 21%, e mishi për 20% më shumë.

Inflacioni në këtë normë po i shqetëson qytetarët, meqë jo vetëm konsumi, por sipas tyre janë rritë edhe vlerat e faturave për shërbimet që ju ofron shteti.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Enver Balaj, thotë se qytetarët janë prekur nga këto çmime, ndoshta më shumë se në shtetet tjera të Evropës për shkak të pagave, të cilat janë shumë të ulëta në Republikën e Kosovës.