Priten tensione në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së, përçarje e madhe rreth koalicionit me VV-në

Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të vendosë sot për të nominuarin e saj për Kryeministër, si dhe për koalicionin parazgjedhor me Vetëvendosjen, në mbledhjen e Kryesisë që do të mbahet në orën 14:00.

Ky takim llogaritet se do të përshkohet nga tensione të mëdha, pasi që strukturat e LDK-së janë të përçara sidomos sa i përket koalicionit me Vetëvendosjen.

Dy figurat kryesore të LDK-së, Lutfi Haziri dhe Agim Veliu, që në tryezën e takimeve njëri ulët në krahun e djathtë të Mustafës, e tjetri në krahun e majtë të tij, gjë që tregon për rolin e madh të tyre në hierarkinë e kësaj partie, janë kategorikisht kundër që LDK të shkojë në koalicion parazgjedhor me VV-në.

Por, burime të Periskopit, thonë se ata nuk janë të vetmit që po e kundërshtojnë fuqishëm këtë ide të koalicionit, e cila po ideohet ekskluzivisht nga Isa Mustafa.

Edhe kryetarë tjerë të degëve të mëdha të LDK-së duket se nuk janë në një linjë me Isa Mustafën.

Refuzimi për koalicion me Vetëvendosjen buron jo vetëm nga mospërputhja ideologjike mes këtyre dy partive dhe historia e konflikteve mes tyre, por edhe nga rreziku real që Vetëvendosje ta mbizotërojë LDK-në me vota dhe me fuqi politike, pasi që lista e përbashkët për deputetë do ta mundësonte një gjë të tillë.

Strukturat e LDK-së kanë një frikë të madhe se Vetëvendosje mund ta dëmtojë skajshmërisht LDK-në, duke qenë në një listë që do të ndahej përgjysmë mes këtyre dy partive. Numri i kandidatëve për deputetë të LDK-së, që do të vinin nga rajone të mëdha, do të përgjysmohej dhe rrjedhimisht shumëkush do të mbetej jashtë.

Është pothuajse e qartë se fitues i këtij koalicioni do të ishte Albin Kurti me Vetëvendosjen, pasi që votuesit e LDK-së do ta rrumbullakonin emrin e tij në listë dhe gjasat reale janë që ai të dalë më i votuari.

Hulumtimet e fundit tregojnë se Vetëvendosje po ia merr votuesin LDK-së dhe për këtë Isa Mustafa është i vetëdijshëm. Megjithatë, duket se ai nuk do ta pyes askënd në parti dhe do të vendosë vetë për këtë koalicion.