Pritet dorëheqja e Mehajt, i pakënaqur me politikën antiamerikane të Kurtit dhe në ‘fërrkë’ me zëvendësin e tij

Ka rreth dy javë që letra e dorëheqjes së Ministrit të Mbrojtjes po qëndron në tavolinën e kryeministrit Albin Kurti.

Kështu të paktën spekulohet nga vetë njerëzit e afërt me Mehajn, rrëfim që përflitet që disa ditë edhe në mesin e gazetarëve.

Sipas spekulimeve, arsyet e dorëheqjes së Mehajt ndërlidhen me pakënaqësitë që i ka, si me vijën politike të kryeministrit Kurti, e cila çoi në sanksione ndërkombëtare, ashtu edhe me vartësit e tij në Ministrinë e Mbrojtjes, veçanërisht me zëvendësministrin Shemsi Syla, i cili po sillet sikur të ishte ai ministri dhe jo Mehaj.

Demokracia.com ka mësuar se pritjes së Mehajt për pranimin e dorëheqjes tashmë i ka ardhur fundi.

Sipas njerëzve të tij të afërt, Mehaj po planifikon që këto ditë të thërras konferencë për media dhe ta bëjë publike dorëheqjen e tij, së bashku me arsyet politike dhe institucionale.

Mësohet se Mehaj rezulton të jetë i pakënaqur edhe me qasjen e Kurtit karshi mbështetjes amerikane për FSK-në./Demokracia.com/