Prokurorët i reagojnë ashpër Kurtit: Vendose në rrezik jetën e prokurorit të rastit

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit, Albin Kurti lidhur me caktimin e masës së arrestit shtëpiak, ndaj ish policit, Dejan Pantiq.

KPK-ja në reagimin e tyre shprehen se deklaratat e Kurtit për tu informuar për emrin e prokurorit të rastit kanë rrezikuar jetën e prokurorit.

“KPK shpreh indinjatën e thellë me kërkesën e Kryeministrit Kurti për t’u informuar me emrin e prokurorit i cili ka bërë kërkesë për ndërrimin e masës ndaj të pandehurit Pantiq, nga se kjo përveç që ndikon në punën e pavarur të prokurorit, mund të nxitë edhe reagime që do mund të rrezikojnë jetën e tij”.

Tutje në reagim thuhet se Kurti me këto deklarata ka tendencë për ndërhyrje në punën e pavarur të sistemit prokurorial të Kosovës.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) është thellësisht i shqetësuar me deklaratat e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe vartësve të tij, lidhur me vendimin ligjor për ndërrimin e masës së të pandehurit Dejan Pantiq nga paraburgimi në arrest shtëpiak, që është marrë pas kërkesë së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

KPK vlerëson që reagimet e tilla të Kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij janë tendencë për ndërhyrje në punët dhe pavarësinë e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës”./Fokusi.info/