Somali, sulm vetëvrasës me bombë, 26 të vdekur, mes tyre gazetarë

Të paktën 26 njerëz janë vrarë në një sulm vetëvrasës me bombë dhe armë në një hotel në pjesën jugore të Somalisë.

Lajmin e ka bërë të ditur një zyrtar i sigurisë, ndërsa përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi “Al-Shabaab”.

Autoritetet njoftuan se një sulmues vetëvrasës shpërtheu një veturë të mbushur me mjete plasëse në hotelin e famshëm “Medina”, në qytetin jugor të Kismayo-s para se disa sulmues të armatosur të hynin në hotel dhe të qëllonin me armë zjarri.

“Forcat e sigurisë e kanë marrë situatën nën kontroll. Sulmuesi i fundit është qëlluar dhe është vrarë”, tha zyrtari i sigurisë, Mohamed Abdiweli.

“Ka trupa të pajetë dhe persona të plagosur brenda hotelit dhe nuk mund t’i japim hollësitë e sakta, por deri tash i kemi konfirmuar 26 trupa të vdekur dhe disa njerëz njerëz të plagosur”, tha zyrtari i sigurisë, Mohamed Abdiweli

Dëshmitarët thanë se në mesin e personave të vrarë janë edhe dy gazetarë.

Luftëtarët e grupit “Al-Shabaab” janë duke luftuar për më shumë se një dekadë që ta rrëzojnë qeverinë e tanishme të Somalisë. Besohet se ky grup përbëhet nga 5000 deri 9000 mijë anëtarë, shkruan “The Guardian”.