Prokuroria deklarohet për vdekjen e foshnjës gjatë lindjes në Spitalin e Pejës

Një prind ka raportuar në polici së të mërkurën ka vdekur foshnja gjatë lindjes dhe i njëjti dyshon se kjo ka ndodhur si pasojë e neglizhencës së stafit mjekësor. Rasti në polici është hapur si “hetim i vdekjes”, ndërsa zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, tha se për këtë rast është autorizuar Policia e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore.

Gjithashtu, Shkodran Nikçi tha se është kërkuar të bëhet edhe obduksioni i foshnjës për të kuptuar shkaqet e vdekjes.

“Prokurorja e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Pejë, ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore për ketë rast. Gjithashtu, është kërkuar të bëhet obduksioni nga Instituti i Mjekësisë ligjore për të kuptuar shkaqet e vdekjes se foshnjës. Nuk mund të japim me shumë informata në ketë fazë”, tha Nikçi.

Rasti i vdekjes së foshnjës është bërë i njohur në raportin e sotëm të Policisë së Kosovës.

“HETIM I VDEKJES/Rr. Nënë Tereza, Pejë 08.03.2023 – 17:00. Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se në Spitalin e Pejës gjatë lindjes, foshnja ka vdekur dhe sipas ankuesit (babai) dyshon që ka qenë neglizhencë e stafit mjekësor. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i foshnjës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e PK-së.