Prokuroria dhe mbrojtja e Salih Mustafës dorëzojnë dosjet e tyre përfundimtare

Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtja e Salih Mustafës kanë dorëzuar te trupi gjykues dosjet e tyre përfundimtare. Në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fjalët përfundimtare të palëve do të paraqiten në shtator të këtij viti.

Dhomat e Specializuara të Kosovës përmes faqes zyrtare kanë njoftuar se më 21 dhe 22 korrik 2022, mbrojtja e Mustafës dhe prokuroria i kanë dorëzuar dosjet e tyre gjyqësore përfundimtare.

Në procesin gjyqësor kundër Salih Mustafës ka përfunduar paraqitja e provave nga ZPS dhe nga mbrojtja.

Në gjykatore janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, shumë prej të cilëve të mbrojtur dhe në seanca të mbyllura apo të redaktuara.

Ndërsa mbrojtja e Salih Mustafës ka paraqitur 15 dëshmitarë.

Në fillim të këtij procesi Salih Mustafa, ndaj të cilët rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë prej 24 shtatorit të vitit 2020 kur është arrestuar. /Kp