Prokuroria nis hetimet ndaj mësimdhënësit në Mitrovicë, dyshohet se goditi nxënësit për t’i ulur nëpër vende në klasë

Prokurori ka nisur hetimet për një mësimdhënës në Mitrovicë, pasi i njëjti po dyshohet se ka goditur nxënësit e tij me shuplakë, me qëllim që ata t’i ulë nëpër vende në klasë.

Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.

Sipas raportit, rasti ka ndodhur të enjten në mëngjes, pas një incidenti mes nxënësve, që pastaj ka pasuar me intervenimin e mësimdhënësit.

“Mitrovicë 18.11.2021 – 09:00. Është raportuar se në një shkollë ka ndodhur një incident mes nxënësve, pastaj një mësimdhënës, tani i dyshuar mashkull kosovar, dyshohet se ka goditur me shuplaka nxënësit për t’i ulur nëpër vendet e tyre. Është njoftuar prokurori dhe rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.