Prokurorja ndryshon përshkrimin e aktakuzës ndaj Adem Grabovcit dhe Besim Beqajt

Prokurorja Drita Hajdari ka bërë ndryshimin e përshkrimit në njërën pikë të aktakuzës ndaj Adem Grabovcit dhe Besim Beqajt, të cilët akuzohen në rastin e njohur si “Pronto”.Në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dhënë fjala përfundimtare nga palët në procedurë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast po akuzohen edhe akuzohen ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, dhe tetë të akuzuar të tjerët.

Gjatë kësaj seance, prokurorja Hajdari, ka deklaruar se ka bërë ndryshimin e përshkrimit të aktakuzës në rastin e Grabovcit dhe Beqajt.“E bëj ndryshimin e dispozitivit nga pika 4 e aktakuzës kundër Adem Grabovcit dhe Besim Beqajt.

Ndryshohet komplet dispozitivi si në vijim: I pandehuri Adem Grabovci si deputet dhe kryetar i grupit parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe i pandehuri Besim Beqaj si ministër në MZHE, duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin e tyre zyrtar, ashtu që në kohen derisa ishte në fuqi konkursi i shpallur nga Qeveria e Republikës së Kosovës i 31 tetorit 2011, për pozitat e drejtorëve në Bordet e Ndërmarrjeve Publike ‘Trainkos’ dhe ‘Infrakos’, si dhe konkursi për pozitën kryeshef ekzekutiv në ato dy ndërmarrje publike i 28 tetor 2011, të akuzuarit përmes bisedës telefonike të 9 dhjetorit 2011, kanë bashkëpunuar me anë të marrëveshjes për anulimin dhe rishpalljen e konkurseve për drejtorët e ndërmarrjeve publike ‘Trainkos’ dhe ‘Infrakos’, si dhe për anulimin e konkursit për pozitën e keryeshefit ekzekutiv në ato dy ndërmarrje publike”, ka thënë prokurorja Hajdari.

Ajo ka thënë se me këtë rast, në aferën e përgjimeve, dëgjohet që Grabovci dhe Beqaj bisedojnë lidhur me këto konkurse.

“I pandehuri Beqaj i thotë të pandehurit Grabovi “a ti thom atyne dyve, ti rishpallim Trainkos dhe Infrakos, ndërsa i pandehuri Grabovci i përgjigjet “Sejdes i thashë po edhe atij tjetrit nëse don thuj”, Beqaj i thotë “dytë t’ia rishpallim edhe tanaj të shohim”, ndërsa i pandehuri Grabovci “Ok, OK, masi të shpallet ky tjetri”, Beqaj përgjgijet “tani i shpallim dytë, Grabovci “po dytë”, Beqaj “edhe i zgjedhim tani dhe bordet”, ka deklaruar prokurorja Hajdari.

Ajo ka thënë se në këtë mënyrë është tentuar që përmes anulimit të konkurseve dhe ri-shpalljen e tyre të krijojnë kushte për caktimin e personave sipas bindjes personale dhe politike, duke mohuar dhe kufizuar të drejtat e personave të tjerë që kanë konkurruar sipas konkurseve në fjalë.

Ajo ka deklaruar se njëjtë është vepruar edhe për çështjen e marrjes së vendimit për ushtrues detyre në Posten dhe Telekomin e Kosovës.

“Ndërsa të nesërmen më 13 dhjetor 2011, në ditën kur Bordi i Drejtorëve në PTK vendoste për pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv në PTK, i akuzuari Besim Beqaj i thotë të akuzuarit Grabovci “thuaja lirisht, asnjë vendim, asnjë hap gjatë ushtrimit të detyrës, veç ka me ushtru detyrë”, për çka i akuzuari Grabovci dakordohet, duke thënë “Okej, okej”, me çka të akuzuarit tentuan që t’i mohojnë dhe kufizojnë të drejtat dhe kompetencat e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv në PTK, me çka të pandehurit në formën e bashkëpunimit, bashkëkryerjes nga neni 31 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës kanë kryer veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve edhe banorëve të Republikës së Kosovës në tentativë”, ka thënë prokurorja Hajdari.

Sipas saj, pjesa tjetër e aktakuzës mbetet e pandryshuar.Ndryshe, në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, duke e lënë kështu në fuqi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë në mënyrë të mjaftueshme për këtë fazë të procedurës penale, arsye lidhur me dyshimin e bazuar mirë, rreth provave të kundërshtuara, dhe se drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, për të vazhduar më tutje.

Sipas Apelit, se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata, e as nga palët.Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndryshe, në seancën që ishte mbajtur më 4 shkurt 2019, mbrojtja e të akuzuarve Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, e kishte kundërshtuar aktakuzën.Kurse, në seancën fillestare të mbajtur më 15 nëntor 2018, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.

Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim.

Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci.Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.

Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.

Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.