Protesta e opozitës, ambasada e SHBA: Refuzoni dhunën! Policia të jetë e përmbajtur

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, del me deklaratë lidhur me protestën e paralajmëruar për tu mbajtur nga opozita në orën 10.00 para Parlamentit.
Kjo ambasadë bën thirrje që të refuzohet dhunë, ndërsa ftohet policia që të tregohet e përmbajtur.
“Shtetet e Bashkuara nxisin të gjithë pjesëmarrësit në protestën e sotme që të ushtrojnë paqësisht të drejtën e tyre për t’u mbledhur dhe të refuzojnë dhunën, si dhe iu bëjnë thirrje qeverisë dhe forcave të sigurisë që të tregohen të përmbajtur”, thuhet në deklaratë.
Protesta vjen vetëm pak orë pasi deputetët demokratë dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim, hoqën dorë nga mandatet parlamentare.
Sakaq Policia e Shtetit deklaroi se nga informacionet e mbledhura nga shërbimet përkatëse, ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale.
Po ashtu deklarohet se synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë.
Për të parandaluar çdo mundësi të tillë, Policia e Shtetit, u bën apel në radhë në radhë të parë organizatorëve që të distancohen hapur nga dhuna dhe të bëjnë thirrje për respektimin e ligjit nga çdo protestues. Po ashtu Policia e Shtetit u bën apel të gjithë atyre që duan të ushtrojnë lirinë e tubimit dhe të drejtën e protestës, që të mos përfshihen në asnjë rast e për asnjë arsye në veprime të dënueshme ligjërisht.
Policia e Shtetit e siguron opinionin publik, se forcat e rendit dhe sigurisë janë të gatshme t’i përgjigjen me forcën e ligjit dhe në proporcionalitet të plotë, çdo veprimi të paligjshëm apo akti dhune. Po ashtu, janë marrë të gjitha masat për identifikimin dhe skedimin e çdo individi që do të evidentohet si shkelës i ligjit, si edhe për ndalimin e për nxjerrjen e çdo shkelësi përpara drejtësisë./noa