Protesta e veteranëve të UÇK’së: Opozita i përkrah, fton qytetarët t’i bashkohen

Subjektet politike opozitare i kanë dhënë mbështetje protestës së kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, e cila do të mbahet të hënën në ora 10:00.

Përfaqësuesit e PDK-së, AAK-së dhe PSD-së kanë deklaruar për gazetën Nacionale se protesta e veteranëve për të kundërshtuar diskriminimin që Qeveria po ua bënë atyre, është e drejtë.

Disa preje këtyre partive kanë treguar se do të marrin pjesë edhe aktivisht në këtë protestë.

Nënkryetarja e PSD-së, Teutë Rrusta, i ka ftuar gjithë qytetarët të marrinë pjesë në këtë protestë.

“Veterani sot është kategori e varfër ekonomikisht dhe e nëpërkëmbur institucionalisht, në ndërkohë që përndjeket politikisht. PSD-ja do të marrë pjesë në protestë dhe ftoj qytetarët që t’i bashkohen veteranëve, përmes të cilëve ne sot jemi të çliruar”, ka thënë Rrusta.

Ajo ka deklaruar se mënyra qysh qeveria po i trajton veteranët e UÇK-së tregon për një frymë institucionalisht të organizuar kundër UÇK-së. “Ne si parti politike i përkrahim plotësisht kërkesat dhe protestën e OVL-UÇK. Mënyra sesi kjo qeveri ka trajtuar veteranët tregon për një frymë institucionalisht të organizuar kundër UÇK-së. Kjo është evidente. Dhe në anën tjetër, tentimi për t’i larguar nga paga minimale këtë kategori është e pandershme”, është shprehur ajo.

Edhe Blerand Stavileci nga PDK-ja ka thënë për gazetën Nacionale se kjo parti gjithmonë do të jetë në anën e veteranëve. “Pushteti në vend të dialogut e sinqeritetit e ka instaluar arrogancën e diskriminimin si parime të punës në raport me qytetarët dhe të gjithë ata njerëz që ia besuan ndryshimin. Dhe, paradoksalisht, i vetmi ndryshim që po ndodhë është degradimi më i madh i një qeverisjeje as për 1 vit e gjysmë të punës së saj. Protestat po shtohen e po rriten. Qytetarët kanë të drejtë, ashtu si edhe veteranët. Ne do të jemi gjithmonë në anën e atyre që duhet mbështetur nga qeveria e jo të nëpërkëmben e anatemohen”, është shprehur ai.

Sipas tij, me arrogancën e saj qeveria po nxitë pakënaqësi të të gjitha kategoritë. “Kjo qeveri po dështon në të gjitha drejtimet. Në mungesë të vizionit, po i mungojnë veprimet dhe kjo po ngritë pakënaqësi të mëdha tek të gjitha kategoritë. Nuk mbahet në mend që ka pasur ndonjëherë pakënaqësi më të mëdha se sa tash nga të gjithë: punëtorët shëndetësorë, punëtorët arsimorë, bizneset, sindikatat. Nga njëra anë kemi mbi 200 mijë aplikime nëpër ambasadat e huaja e nga tjetra shohim me dhjetëra mijëra njerëz që nuk mbështeten nga pushteti”, ka deklaruar Stavileci.

Ditë më parë, edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte paralajmëruar se do të jetë në përkrahje të veteranëve të UÇK-së nëse Qeveria e Kosovës këtë kategori e përjashton nga rritja e pagës minimale.

“I kam duruar të gjitha shpifjet e tij dhe të tyre, ka ndodhur një proces gjyqësor. Por mos luaj më shumë me këto kategori. Mos u tall me to. Ky është kërcënim publik dhe serioz. Po, mos bëj hajgare me këto kategori mo. Kthjellu një herë e përgjithmonë. Të kemi duruar se kemi pasur arsye tjera, por nuk të durojmë pa kufi. Kjo nënkupton se ne i dalim në rrugë dhe i tregojmë se a mund të hyjnë në zyre të vet mo nëse tallen me këto kategori”, kishte deklaruar Haradinaj.