PS merr drejtimin e KQZ, ‘rrëzon’ dekretin e Metës: Zgjedhjet më 30 qershor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka konsideruar nul dekretin e Ilir Metës për shtyrjen e zgjedhjeve. Anëtarët e PS në KQZ, që kanë edhe shumicën, ‘rrëzuan’ dekretin e presidenti. Kryetari i KQZ, Klement Zguri e braktisi mbledhjen, pasi tha se nuk mund të qëndronte në një mbledhje ku vihet në diskutim një dekret i presidentit.

Drejtimin e mori Denar Biba, i cili tha se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor.

“KQZ ka detyrimin me vazhdimin e organizimit të zgjedhjeve më 30 qershor, ashtu siç e përcakton Kushtetuta, që zgjedhjet realizohen një herë në 4 vjet. KQZ e ka detyrim për të çuar shqiptarët që të shkojnë të votojnë”, tha Biba.

Edhe anëtarët e tjerë kundërshtuan dekretin e presidentit Ilir Meta.

“Ky dekret duhet trajtuar me shumë kujdes, pasi buron nga presidenca. Nuk mund të aplikojmë sot një akt të tillë, është nul”, tha anëtarja e KQZ, Bitri.

Bledar Skenderi shkoi edhe më tej kur tha se Meta mund të nxjerë një dekret për shkarkimin e tij si anëtar i KQZ.

“E konsideroj dekretin e presidentit një akt nul. Mbase mund të sjellë një dekret që do më shkarkonte edhe mua si anëtar i KQZ. Të vazhdojmë përpara për garantimin e zgjedhjeve më 30 qershor”, tha Skënderi

Edlira Jorgaqi, anëtarja e Komisionit Qëndror Zgjedhor deklaroi se akti për anulimin e zgjedhjeve është i pavlefshëm sepse është haptazi i paligjshëm.

“Akti për anulimin e zgjedhjeve është i pavlefshëm sepse është haptazi i paligjshëm. Është cenim i parimit të ligjshmërisë. Akti është absolutisht i pavlefshëm edhe kur organi ushtron një kompetencë që ligji nuk ia lejon. Nga nëntori ligji nuk njeh asnjë kompetencë për shtyrë apo shfuqizuar datën e zgjedhjeve. Rrjedhojë e aktit për zgjedhjet në 30 qershor, KQZ është në ushtrim për përgatitjen e tyre. Janë ngritur KZAZ,janë prezantuar kandidatët, janë tenderuar fondet publike, para të taksapaguesve shqiptarë. Ato nuk mund të flaken tutje”, tha Jorgaqi./Gazetashqip/