PSD dorëzoi kallëzim penal kundër Albin Kurtit

PSD-ja përmes këtij kallëzimi penal pretendon se Kurti ka mashtruar se është veteran dhe sipas tyre ai nuk i përmbushë dy nga kushtet kryesore të parapara me Ligjin për Veteranët.

“Ndonëse nuk është i shpallur në faqen zyrtare të internetit të komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranit UÇK-së dhe kategorive tjera, në media është raportuar dhe po ashtu nuk është mohuar asnjëherë nga z. Kurti se këtij të fundit i është njohur statusi i veteranit luftëtar të UÇK-së në kuadër të Njësive Vartëse të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, listat e së cilës kategori nuk janë publike”, thuhet në kallëzimin penal, raporton Demokracia.com.

Sipas këtij kallëzimi të PSD-së, aktiviteti i Kurtit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ka qenë i kufizuar vetëm në zyrën e Adem Demaçit.

“Dihet se aktiviteti i z. Kurti në kuadër të luftës çlirimtare ka qenë i kufizuar në kontributin e tij të dhënë në kuadër të asaj qe njihej si Zyra e Adem Demaçit për analiza, propozime dhe këshilla politike, e cila funksiononte në shërbim të të ndjerit z. Adem Demaçit, që atëkohë kryente detyrën e përfaqësimit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Me datën 2 mars 1999, z. Kurti si pjesë e kësaj zyre, për shkak të mospajtimeve politike, përmes një deklarate publike, tërhiqet nga UÇK-ja dhe nuk kryen më asnjë funksion të njohur publikisht në shërbim të luftës çlirimtare deri kur i njëjti arrestohet në prill të këtij viti”, thuhet më tej në kallëzim.

Sipas këtij kallëzimi penal, PSD deklaron se Kurti nuk i plotëson të paktën dy nga kushtet kryesore që kërkohen me legjislacionin në fuqi për statusin e veteranëve.