PSD dorëzon kallëzim penal ndaj Kurtit për deklarimin si veteran i UÇK-së

Partia Socialdemokrate do të dorëzojë sot kallëzim penal ndaj kryeministrit Albin Kurti për rastin e deklarimit të tij si veteran i UÇK-së.

Kjo parti e dorëzon padinë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në orën 11:00, thuhet në njoftim, përcjell Fokusi.info.

Ditë më parë PSD-ja deklaroi se Konferenca e Rambujesë e përçau zyrën e Adem Demaçit në Prishtinë, me një pjesë tjetër të lidershipit të UÇK-së.

Për shkak të mospajtimeve me atë që ofronte drafti i marrëveshjes së hartuar në kështjellën franceze, grupi i tubuar rreth ish-krye të burgosurit politik të Kosovës, e ku bënte pjesë edhe Albin Kurti, u tërhoq nga përfaqësimi politik i Ushtrisë Çlirimtare.

Njoftimi për këtë u bë më 2 mars 1999 kur Demaqi njoftoi se me grupin e tij bëri një zyrë tjetër.

Me gjasë, dokumenti që e tregon këtë, u shfrytëzua nga Partia Socialdemokrate, të enjten, për të vlerësuar se kryeministri Kurti nuk është veteran përnjëmend.

“Është tërhequr nga UCK më 2 mars të vitit 1999, pra rreth tre muaj para përfundimit të luftës… Kjo konfirmon se nëse duam të flasim për veteranët e rrejshëm, veterani i parë i rrejshëm është Albin Kurti”, ishte  shprehur kryetari Dardan Molliqaj.

PSD kërkoi hetim ndaj Kurtit. Nëse kjo nuk ndodh, u paralajmërua kallëzim penal për këtë çështje.