PSD-ja vendos mbishkrimin “KEDS-KESCO” mbi veturat zyrtare në oborrin e Qeverisë

Partia Socialdemokrate ka kryer një aksion pranë oborrit të Qeverisë, duke ngjitur letra me mbishkrimin “KEDS-KESCO” në veturat zyrtare.

Zyrtari i PSD-së, Nol Nushi, deklaroi se Qeveria Kurti është vënë në shërbim të KEDS-it, dhe se veturat zyrtare po përdoren për këtë kompani private.

“Duam të adresojmë këtë padrejtësi që i bëhet buxhetit. Të shtunën në ora 21:00 të natës, Qeveria mblidhet online me një proces tepër jotransparent dhe i ndan ekstra 15 milionë euro. Nuk e dimë arsyetimin, nuk e dimë a ka pasur kërkesë. E kemi cekur që kjo Qeveri është në shërbim të KEDS-it. Këto vetura nuk janë të qytetarëve por muajt e fundit kanë qenë vetura dhe zyra në shërbim të KEDS-it. E papranueshme si një Qeveri e tërë të bie nën kontrollin e një kompanie private”, tha ai.