Pse Enver Hasani, pas “prishjes” me “pushtetarët e vjetër” flet ndryshe, në kundërshtim me atë çka e ka nënshkruar?

Nëpër studiot televizive, pas zgjedhjeve të sivjetme, i ftuar si ekspert juridik dhe si ish-Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, jo njëherë ka deklaruar se partia (koalicioni) fitues i zgjedhjeve e ka të drejtën ekskluzive që dy herë ta propozojë kandidatin për kryeministër dhe vetëm nëse dështon në të dyja rastet vendi shkon në zgjedhje.

Edhe mbrëmë në TV Dukagjini, në emisionin Debat Plus, Enver Hasani deklaroi: “Vetëvendosjes i takon dy herë opsioni i krijimit të qeverisë së re, dhe që nëse nuk votohet ajo qeveri atëherë shkohet në zgjedhje të reja”.

Këtë ai u përpoq në mënyrë shumë të varfër edhe ta argumentoi.

Mirëpo, Enver Hasani, sa ishte Kryetar i Gjykatës Kushtetuese nuk ka menduar, vendosur e shkruar kështu.

Në vendimin e datës 1 korrik 2014, me numër Nr.ref.:AGJ671/14, të nënshkruar nga Snezhana Botusharova dhe Enver Hasani shkruan:

dh. Në rast se kandidati i propozuar për Kryeministër nuk merr votat e nevojshme, Presidenti Republikës, në diskrecionin e tij/saj, në bazë të nenit 95, paragrafi 4, të Kushtetutës, emëron kandidatin tjetër për Kryeministër, pas konsultimit me partitë ose me koalicionet (e regjistruara në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme) që kanë plotësuar kriteret e lartpërmendura, pra me parti ose me koalicion që është regjistruar si subjekt zgjedhor në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, e ka emrin në fletëvotim të zgjedhjeve, ka marrë pjesë në zgjedhje dhe ka kaluar pragun;

e. Nuk përjashtohet që Presidenti i Republikës të vendose t’i jap partisë ose koalicionit të parë, sipas nenit 95, paragrafi 1, të Kushtetutës, mundësinë të propozojë kandidatin tjetër për Kryeministër;

Pse ky ndryshim kaq radikal në analizën juridike dhe interpretimin e Kushtetutës tek Enver Hasani? Konjukturat politike? Ripozicionimi? Prishja me pushtetarët e “vjetër”, apo çka është në pyetje?

Sidoqoftë, vendimin e Gjykatës Kushtetuese (qoftë edhe i gabuar dhe i qëllimshëm për kohën) nuk ka forcë që mund ta ndërrojë, as Enver Hasani e askush tjetër.

Vendimi shkruan e zeza në të bardhë se për emërimin e kandidatit të dytë për Kryeministër, në rast se dështon i pari, mbet në diskrecion të Presidentit, në konsultim me forcat politike parlamentare dhe pa e përjashtuar edhe të parin. Kjo nuk ka nevojë për interpretime të mëtutjeshme./Fokusi.info/