Publikohet agjenda e Samitit të Berlinit

Kryeministri Edi Rama dhe kancelarja gjermane Angela Merkel do të zhvillojnë një takim ditën e nesërme në Samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili zhvillohet me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron dhe vetë kancelares gjermane.

Samiti do të zhvillohet në Kancelarinë Federale në Berlin Samiti për Ballkanin, dhe do të bëjë bashkë të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.

Një ditë përpara zhvillimit të këtij samiti, zbardhet dhe axhenda e takimeve që do të mbahen nga kancelarja gjermane.

Fillimisht Kancelarja do të presë kryeministrin e Republikës së Maqedonisë se Veriut Zoran Zaev. Më pas Kancelarja do të ketë një bisedë me Kryeministrin e vendit tonë, Edi Rama. Në vijim, Kancelarja do të mbajë një diskutim të shkurtër dypalësh me Presidentin francez Macron, pasuar nga deklaratat per shtyp nga të dy liderët.

Pas ardhjes së Shefave të Shtetit dhe Qeverive të Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Sllovenisë dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, do te fillojë takimi i Ballkanit Perëndimor.

Në samit, kryeministri Edi Rama  do të marrë pjesë së bashku me ministrin në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.  Nga udhëheqësit e Rajonit do të jenë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa përfaqësuesit e Serbisë do të jenë Presidenti Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrja Ana Bërnabiq.

Mësohet se temë e diskutimeve do të jetë marrëdhënia Kosovë-Serbi, çështjet e kufirit mes dy vendeve dhe vënia e taksës prej 100 për qind nga qeveria e Kosovës për prodhimet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.