Pulsi publik: Qytetarët janë më të kënaqur me Presidenten Osmani se sa me Kryeministrin Kurti

Kënaqshmëria e qytetarëve me punën e presidentes, kryeministrit, Qeverisë dhe Kuvendit ka shënuar rritje krahasuar me një anketë të dhjetorit të vitit 2020.

Këto janë të gjeturat e edicionit të 20-të të Përmbledhjes Pulsi Publik, i prezantuar sot nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë.

Këto gjetje tregojnë për një rritje të madhe të kënaqëshmërisë së qytetarëve me punën e institucioneve kyçe ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore të Kosovës, krahasuar me një anketë që ishte realizuar në dhjetor të vitit 2020.

Sipas UNDP kjo paraqet nivelin më të lartë të kënaqshmërisë me drejtimin politik të Kosovës të regjistruar ndonjëherë nga anketat e Pulsit Publik.

Niveli më i lartë i kënaqshmërisë prej 63.7% është regjistruar me punën e Presidentes së Kosovës, krahasuar me 33.9% të regjistruar në dhjetor 2020.

Niveli i regjistruar i kënaqshmërisë me punën e Kryeministrit është 59.5% (23% në dhjetor 2020), ndërsa kënaqshmëria me punën e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës është rritur nga 46.7% në dhjetor 2020 në 59.2% në maj 2021.

Këshilltari i Vjosa Osmanit, Bekim Kupina referuar këtij raporti ka thënë se këto të dhëna nuk janë të rastësishme. Sipas tij, puna e palodhshme e presidentes Osmani dhe guximi i saj për t’u dalë përballë sfidave të shumta është shpërblyer me besimin qytetar.

“Presidentja Vjosa Osmani, sipas Pulsit Publik nga UNDP-ja dhe USAID-i, gëzon nivelin më të lartë të kënaqshmërisë nga qytetarët e Republikës së Kosovës, me 63.7%. Këto të dhëna nuk janë të rastësishme. Puna e palodhshme dhe guximi i saj për t’u dalë përballë sfidave të shumta është shpërblyer me besimin qytetar edhe më herët, por edhe tash.
Presidentja Osmani mbetet politikania që i qëndron besnike parimeve dhe premtimeve. Një Presidente e përkushtuar, në shërbim të qytetarëve të saj”, ka shkruar ai. /Reporteri.net