Punëtorët e “Telekomit” duan 20 % të aksioneve dhe mosulje pagash

Bordi i “Telekomit” të Kosovës pak ditë më parë mori vendimin për uljen e pagave të punëtorëve të kësaj ndërmarrje prej 10 deri në 20 për qind. E një vendim i tillë ngjalli pakënaqësi te sindikata e punëtorëve e kësaj ndërmarrjeje, e cila po beson se ky vendim do të pezullohet.

Kryetari i Federatës Sindikale të Pavarur të “Telekomit” të Kosovës, Lami Balaj tha se në takimin që zhvilluan me bordin javën e kaluar kanë kërkuar pezullimin e këtij vendimi.

Sipas tij, vendimi për uljen e pagave erdhi për shkak të rënies drastike të të hyrave, kryesisht për shkak të deklarimeve të zyrtarëve institucionalë që “Telekomi” i Kosovës është buzë falimentimit.

Balaj për ka thënë se pezullimin e vendimit e kanë kërkuar deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e pagave, vendim i cili pritet të jepet deri në fund të marsit.

“Sigurisht në takimin që kemi pasur më 8 të parit me bordin kemi kërkuar që të pezullohet ky vendim përkohësisht deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e pagave, sepse ne në parim kemi qenë pjesë e Ligjit të pagave…Sigurisht që kemi qenë të shqetësuar sepse në vazhdimësi kemi thënë që pagat e punëtorëve në “Telekom” shumë sektorë nuk janë në nivelin që duhet me qenë, nuk kemi paga ashtu siç është proklamuar në media.

Ne kemi shumë ndërmarrje në Kosovë që marrin buxhet prej Republikës së Kosovës dhe pagat i kanë më të larta, ndërsa “Telekomi” është e vetmja ndërmarrje që i ka dhënë mbi 500 milionë dhe asnjëherë nuk ka marrë ndihmë nga Qeveria e Kosovës”, tha Balaj.

Derisa thotë se nuk është as në vullnetin e bordit të “Telekomit” që të ulen pagat e punëtorëve, Balaj shprehet optimist që ky vendim do të pezullohet.

Në takimin me bordin e “Telekomit”, kryesindikalisti i punëtorëve të “Telekomit”, tha se kanë kërkuar një harmonizim të sektorëve në aspektin e gradave.

“Nuk besoj që ka me pas zbritje të pagave në këtë kohë, duhet me u aprovuar kërkesa jonë po shpresojmë që bordi ka me marrë parasysh dhe unë besoj që ka me marrë parasysh dhe në rast jemi dakorduar me i ulë të gjitha shpenzimet tjera, me shkuar me një harmonizim risektorim, por në rast se nuk mbërrihet ai targeti që tashmë duhet me ditë që “Telekomi” ka gëzuar shumë borxhe nga e kaluara, ka shumë borxhe që janë akumuluar shumë, atëherë që edhe ne si punëtorë jemi të gatshëm me diskutuar se çka mund të bëjmë, por mirëqenia e punëtorit është e fundi”, deklaroi kryesindikalisti i “Telekomit”.

Sipas tij, në rast të mospezullimit të vendimit, pagat me 10 përqind zbritje është paraparë t’i marrin të gjithë punëtorët me kontrata të përhershme, ndërsa stafi menaxherial që ka kontrata të përkohshme, do ketë zbritje të pagave prej 20 për qind.

Duke shprehur pakënaqësinë rreth mospërkrahjes së Qeverisë së Kosovës për këtë ndërmarrje, Balaj deklaroi se nëse kërkohet që borxhet e “Telekomit” të paguhen nga punëtorët e kësaj ndërmarrje, atëherë ata do e kërkojnë 20 përqind të aksioneve të kësaj ndërmarrje me krijimin e Qeverisë së re.

“Sigurisht që në start ne kemi kërkuar me u pezulluar nuk është hera e parë që kemi pasur telashe ndoshta duket me pagua atë fajin, ta them troç atë keqmenaxhimin që ka ndodhur, hajnin që ka ndodhur ne Telekom, por nëse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e merr parasysh ne do e marrim situatën në dorë po atëherë është e pakontestueshme nëse tentohet që me pagat e punëtorëve të paguhen të gjitha ato borxhe që janë akumuluar ndër vite, atëherë është e pashmangshme që punëtorët e Telekomit duhet me qenë aksionar të paktën 20 për qind ashtu siç janë të gjitha telekomet në regjion….

Sigurisht që 20 përqindëshi do të kërkohet në kohën kur të formohet qeveria e re pasi është e drejtë jona legjitime… Përderisa shteti nuk e merr përgjegjësinë dhe është 100 për qind aksionar përderisa shteti i ka marrë mbi 500 milionë aksione sepse ne jemi punëtorë dhe punojmë me pagë, ne do të detyrohemi me lyp pjesën tonë që na takon me ligj…Do e kërkojmë përmes Parlamentit me ardhjen e Parlamentit do kërkojmë që 20 për qind e aksioneve të “Telekomit” t’u kthehen punëtorëve”, u shpreh Balaj.

Balaj ka deklaruar se si sindikatë do i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e negocimit me qëllimi që të pezullohet vendimi për uljen e pagave të punëtorëve të “Telekomit” të Kosovës.

Kryetari i Federatës Sindikale të Postës dhe “Telekomit” të Kosovës, Lami Balaj foli edhe rreth telasheve të mëdha në ofrimin e shërbimeve telefonike të kësaj ndërmarrjeje telefonike në Kosovës.

Për çka tha se për shkak të mos investimit ndër vite në shërbimet e mirëmbajtjes, janë shkaktuar telashe edhe në ofrimin e shërbimit për konsumatorët e Valës, por që sipas tij, së shpejti do zgjidhjet edhe ky problem, pasi janë afër nënshkrimit të marrëveshjes për mirëmbajtje të pajisjeve me kompaninë “Nokia”.

Vendimin për ulje të pagave të punëtorëve prej 10 deri në 20 për qind, bordi i “Telekomit” të Kosovës e bëri të ditur përmes një emaili më 3 janar të këtij viti