“Pushteti natën negocion me Vuçiqin për t’i amnistuar kriminelët, ditën i sulmon prokurorët”

Sekretari organizativ dhe zgjedhor në Partinë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka kritikuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Gjoshi shkroi se presidentja Osmani nuk ka të drejtë të kërkojë sqarime nga prokurorët e tyre.

Sipas tij, anipse e doktoruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidentja e vendit nuk i njeh parimet e ndarjes së pushteteve.

“Merreni me mend, e quan veten juriste me doktoraturë, por për politikë ditore është e gatshme t’i shkelë të gjitha parimet mbi të cilat funksionon drejtësia në çdo vend normal e demokratik. Edhe pse juriste, bile e doktoruar në SHBA, ajo nuk e njeh parimin e ndarjes së pushteteve. Nuk e njeh sepse ajo dhe Albin Kurti e kanë shndërruar Kosovën në një vend jo-normal. Kushtetuta e Kosovës ia ka dhënë Presidentit 30 kompetenca. Asnjëra prej tyre nuk i jep fuqi që të kërkojë sqarime nga një prokuror”- ka shkruar Gjoshi.

Ai ka akuzuar pushtetarët se kanë bërë marrëveshje me Seribnë për largimin e barrikadave.

“Por, meqenëse sjellja e tyre jo-normale është bërë normë, këta njerëz që natën negociojnë tinëzisht me Aleksandër Vuçiqin për t’i amnistuar bandat kriminale, ditën i drejtojnë shigjetat mbi prokurorë e gjyqtarë. Presidente, respekto parimet e formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit, nenin 4 të Kushtetutës së Kosovës. Respekto këto parime sepse Profesori që ta ka dhënë doktoraturën mund të turpërohet nga ti”, ka shkruar ai.

Ndryshe, dje presidentja Osmani ka thënë se prokurori që ka kërkuar ndryshimin e masës për ish-policin Dejan Pantiq duhet të jap sqarime./Fokusi.info/