Pushtetit mund t’i rrëzohen 12 ligjet e miratuara në seancë, PDK do ta dërgoj në Kushtetuese seancën e fundit

Nëntë ligje të miratuara në lexim të dytë në mesin e tyre edhe ligji për caktimin e pagës minimale dhe tri ligje të miratuara në lexim të parë në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur më 14 korrik, mund të rrëzohen nga Gjykata Kushtetuese.

Partia Demokratike e Kosovës, pritet që brenda afatit ligjor të dërgoj në Gjykatën Kushtetuese seancën e zhvilluar javën e kaluar, pasi po vlerësojnë se seanca është mbajtur kundërligjshëm.

Deputeti i këtij subjekti, Hajdar Beqa ka thënë se seanca e kaluar është thirrë komplet jashtë Rregullores së Punës së Kuvendit.

“Është në kundërshtim me nenin 52 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës. Sepse kur kryetari përmes kryesisë nuk ka kuorum me thirrë seancën plenare, atëherë duhet të paktën dy ditë përpara t’i ftoj deputetët dhe t’i njoftoj me rendin e ditës, gjë që nuk e ka bërë dhe nuk i ka respektu afatet. Ne po mendojmë që komplet veprimin seancën e fundit ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe tanimë kemi filluar përgatitjet për një gjë të tillë”, ka thënë Beqa për IndeksOnline.

Përveç, ligjeve të miratuara deputetët e mazhorancës kanë miratuar edhe disa vendime tjera.

Më poshtë ligjet e miratuara:

Projektligjet të cilat u miratuan në lexim të dytë:

Projektligji për çmimin e produkteve medicinale;

Projektligji për proceduren përmbarimore;

Projektligji për Mjekësinë Ligjore;

Projektligji për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë;

Projektligjit për Ekspertët Gjyqësor;

Projektligji për procedurat e caktimit të pagës minimale;

Projektligji për zhvillim rajonal të balancuar;

Projektligji për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse;

Projektligji për Energjinë.

Tre ishin projektligjet të cilat u miratuan në lexim të parë:

Projektligji për përfaqësimin e institucioneve shtetërore në procedura gjyqësore dhe arbitrazh;

Projektligji për kadastër të pronës së paluajtshme;

Projektligji për Fondin sovran të Republikës së Kosovës.