Qalaj deklarohet se a pati probleme në Policinë e Kosovës për dorëheqjen e tij dhe pse e zgjodhi pikërisht PDK-në

314

Me të shpallur data e zgjedhjeve të parakohshme në vend, partitë politike kanë filluar publikimin e shumë emrave të cilët kanë aderuar në partitë e caktuara.

Një nga aderimet ‘surprizë’ të këtyre zgjedhjeve që do të zhvillohen më 14 shkurt, padyshim se ishte Rashit Qalaj-ish Drejtor në Policinë e Kosovës.

Qalaj zyrtarizoi aderimin e tij në Partinë Demokratike të Kosovës, të enjten që lamë pas në një konferencë për media të thirrur nga Enver Hoxhaj.

Por gjatë ditës së djeshme u raportua se lidhur me dorëheqjen e Qalajt pati telashe brenda Policisë së Kosovës dhe se zyrtarja e cila nënshkroi kërkesën për dorëheqje tashmë është duke u përballur me një procedurë penale.

Madje u tha se dorëheqja e Qalajt nuk po pranohet, pasi që sipas PK-së nuk është në përputhje me procedurat standarde të operimit, të cilat parashohin që punonjësi i policisë në rastet kur jep dorëheqje vullnetare duhet që dorëheqjen ta paraqes një muaj përpara.

Lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar Qalajn, i cili ka mohuar një gjë të tillë, duke deklaruar se dorëheqja e tij është pranuar në procedurë të rregullt dhe nuk ka shfaqur asnjë problem.

“Edhe unë e kam lexuar atë lajm, mirëpo nuk ka kurrfarë kallëzimi penale ndaj askujt, meqenëse nuk ka asnjë vepër që dikush të jetë pjesë e proceseve të ndryshme. Realisht dorëheqja e rregullt e imja është pranuar të premten, në ora 15:30 nga personat përgjegjës në Policinë e Kosovës. Nuk kam pasur asnjë problem lidhur me këtë çështje”, deklaroi Qalaj.

Qalaj tha se është krenar që ka udhëhequr Policinë e Kosovës ndërsa sa i përket mundësisë që të humb besimin pas kalimit në parti politike tha se kjo mbetet të vendoset nga qytetarët.

“Unë i kam hyrë garës me besim në Partinë Demokratike të Kosovës, pasi kjo parti unë konsideroj se i ka njerëzit më të mirë dhe e di që PDK do të dalë me rezultat shumë të mirë nga këto zgjedhje”, tha Qalaj.

I pyetur se cila ishte arsyeja kyçe pse e bëri atë të kalojë pikërisht në Partinë Demokratike të Kosovës, Qalaj tha se ka shumë miq nëpër të gjitha partitë politike, por që është orientuar në PDK për shkak të kaluarës së PDK-së, për shkak të përbërjes që ka.

“Dihet që PDK ka njerëz që kanë bërë pjesë në të gjitha proceset që ka kaluar Kosova, që nga lufta dhe angazhimi para luftës. Pastaj një numër shumë i madh i luftëtarëve të UÇK-së që jam edhe vetë, e që i takojnë PDK-së dhe poashtu në zyrën e saj ka shumë njerëz të arsimuar, shumë profesionistë që besoj se do t’i shtyjnë proceset përpara. Sigurisht se do të merrem më tepër me fushën e sigurisë, është edhe një nga zotimet e mija nëse arrij të jem deputet i Kuvendit të Kosovës, por edhe nëse s;’do të jem gjithmonë do të angazhohem shumë që të kemi një siguri sa më të madhe për popullin e Kosovës”, shtoi Qalaj.

Rashit Qalaj ishte në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme dhe më të besueshme në vend, atë të Policisë së Kosovës për një kohë të gjatë, derisa nga drejtimi i këtij institucioni u shkarkua nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

Pas kësaj, Qalaj iu drejtua institucioneve përgjegjëse për shkarkimin e tij, por që tani bëri një ndryshim të madh, duke lënë tërësisht PK-në dhe duke vendosur t’i futet politikës, bashkë me disa nga emrat më të përmendur të PDK-së.