Qalaj tregon detajet e aksionit të vitit 2019 kur barrikadat u larguan për vetëm gjysmë ore

Ka gjashtë ditë që këta kamionë kanë bllokuar rrugët në veriun e Kosovës.

Në këtë formë qytetarët serbë, po e kundërshtojnë arrestimin e ish-policit, Dejan Pantiq.

Por, një veprim i tillë i barrikaduesve në vitin 2019, kishte zgjatur vetëm gjysmë ore.

Më 28 maj të vitit 2019, në ora 5 të mëngjesit, një telefonatë zgjoi nga gjumi ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn.

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, kishte një njoftim të rëndësishëm për të.

“Rreth orës 5, e kam kontaktuar kryeministrin, vetëm ta njoftoj që nga ora 6 do të zhvillojmë një operacion, i cili (kryeministri) në atë kohë ka qenë në shtëpinë e tij, mirëpo pas gjysmë ore ka ardhë në stacionin e policisë dhe na ka mbështet”, tha ai.

Por, cilat ishin arsyet që shtyu Policinë e Kosovës ta ndërmarrë këtë aksion?

“Ka pasur dyshime që pjesëtarë të PK dhe shumë qytetarë janë marrë me kontrabandë atje”, u shpreh ai.

Prapaskenat e këtij aksioni, ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i ka treguar ekskluzivisht për Tëvë1.

“Ne kemi marrë parasysh reagimet e ndryshme që mund t’i marrin palët atje, pra strukturat kriminale, jemi përgatitur që ky operacion të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe sa më mirë, jemi kujdesur që informatat të mos dalin jashtë. Për këtë qëllim ne deri në ditën e operacionit nuk kemi informuar partnerët tanë të sigurisë, as EULEX-in as KFOR-in”, shtoi ai.

E përveç protestuesve serbë, kishte edhe të tjerë që e kundërshtuan heqjen e barrikadave.

“Ju e dini që edhe një zyrtar rus ka qenë në mesin e të arrestuarve, ishte pjesëtar i UNMIK-ut i cili e ka penguar Policinë e Kosovës në kryerjen e detyrave dhe i ka përkrahur dhe ka qenë në ballë të protestuesve”, shtoi ish-shefi i Policisë së Kosovës.

Gjysmë ore pasi i bllokuan rrugët, kamionët e protestuesve përfunduan në këtë mënyrë.

Por, a ishte i suksesshëm ky aksion?

“Operacioni ka nisur herët në mëngjes, diku në ora 6 të mëngjesit. Edhe në këtë operacion kemi pasur policë të plagosur, një pak më rëndë e një tjetër pak me lehtë, dhe kemi pasur një numër shumë të madh të qytetarëve dhe policëve të arrestuar për veprat që janë dyshuar, pra kontrabandim dhe akte të tjera kriminale”, tha ai.

Në fund, Qalaj ka thënë se është i pakuptimtë mosreagimi i Qeverisë së Kosovës në situatën e krijuar së fundmi në veri të vendit.