Qentë ikin nga kafazi, masakrojnë 29 mace

Dy qenë të racës pitbull shpërthyen kafazet e tyre në një strehë kafshësh në Alabama të SHBA-së dhe copëtuan 29 mace për vdekje.

Drejtori i strehimores Dothan Animal,  Bill Banks, tha për televizionin WTVY se qentë kishin arritur të dilnin nga kafazet dhe hyrën në zonën e maceve.

Kryebashkiaku i qytetit Mark Saliba tha për CNN se incidenti do të hetohet.

“Për fat të keq, ngjarjet tragjike nganjëherë na nxitin të shtyjmë gjërat përpara pak më shpejt”, tha ai.

“Ne të gjithë jemi të trishtuar dhe të befasuar nga ngjarja. Siguria e kafshëve është përparësia kryesore në strehë”, shtoi ai.

Zyrtarët i thanë medias lokale se qentë u kapën më pas, por nuk konfirmuan nëse do të vriteshin.

Adhuruesit e kafshëve në mediat sociale shprehën zemërimin lidhur me ngjarjen, duke kërkuar një hetim urgjent, transmeton KosovaPress.