Qerkini i mllefosur: Me deklaratën për të pagjeturit procesi do të stagnojë edhe më shumë

Në takimin e djeshëm në Bruksel Kosova dhe Serbia janë dakorduar për deklaratën për të Zhdukurit.

Në deklaratë thuhet se palët do të angazhohen për zbardhjen e personave të pagjetur në luftën e fundit në Kosovë në vitet 1998-1999, shkruan Front Online.

Me këtë deklaratë, të dy vendet janë pajtuar për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur, kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet, dhe çdo dokument tjetër përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, nën posedimin e institucioneve të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst.

Por, i mllefosur me këtë deklaratë është shprehur përfaqësuesi i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Zhdukur, Bajram Qerkini.

Qerkini, për Front Online thotë se ajo që ka ndodhur mbrëmë nuk është asgjë e re dhe se nuk pret që do të zhvillohet diçka në të ardhmen sa i përket kësaj çështjeje.

“Ata vetëm janë dakorduar sikurse edhe shumë herë të tjera . Të gjitha këto i kam lexuar disa herë dhe asgjë nuk ka të re përveç që thonë duhet me bashkëpunua, duhet me hap dokumentacionin tonat edhe ndërkombëtare dhe se çka po mendojnë ata nuk e di, por në këtë punë nuk ka bash asgjë”, është shprehur Qerkini për Front Online.

Ai, thotë se në këtë deklaratë nuk ka asgjë të re, përpos asaj që është ditur që 24 vjet.

“Unë nuk po shoh asgjë të re, plot zgjidhje kanë stagnu e po dëshirojnë me disa gjëra politike me i stagnu ende. Nuk ka pjesë humane, nuk ka pjesë të reja që janë thënë këtu, përveç ato që i kemi ditur që 24 vjet”, ka thënë Qerkini.

Ndërsa, duke fajësuar Qeverinë thotë se pret që ky proces të stagnojë edhe më shumë sesa gjatë dy viteve të tjera.

“Qeveria po i komenton si po i pëlqen, Qeveria është pajtua me një deklaratë e për të cilën janë dakorduar e për mua këto nuk janë realitet. Unë nuk pres asgjë të re, ajo çka pres është që ka me stagnu ende më shumë procesi sikurse ka stagnu që dy vjet”, ka deklaruar ai.

Deklarata e plotë për personat e zhdukur:

Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur dhe për të nxitur pajtim dhe paqe të qëndrueshme,

Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur, që përfshin personat e zhdukur me forcë,

Duke kujtuar se të gjitha kategoritë e personave të zhdukur, do të trajtohen me prioritet të barabartë,

Duke njohur punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit Punues për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK,

Duke inkurajuar bashkëpunimin me aktorë të tjerë relevantë në fushën e personave të zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP),

Duke e njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare,

Duke vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të lehtësuar vuajtjet e familjeve,

Ne angazhohemi bashkërisht,

Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e personave të zhdukur,

Për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe për të pasuar më pas me gërmime,

Për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet dhe çdo dokument tjetër – përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar – nën posedimin e institucioneve të të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst,

Për t’i vënë në dispozicion të gjitha dokumentet vendore dhe ndërkombëtare me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera, në zbulimin e varreve masive,

Për të mundësuar dhe inkurajuar angazhimin aktiv të familjeve të personave të zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,

Për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe për të adresuar nevojat e familjeve të personave të zhdukur,

Për të krijuar dhe punuar së bashku përmes një Komisioni të Përbashkët, të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK, me qëllim të mbështetjes së përpjekjeve për të zgjidhur fatin e personave që mbeten të zhdukur,

Për të monitoruar dhe mbështetur punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët.

Detajet operacionale do të dakordohen në rundin e ardhshëm të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.