Qeveria i përgjigjet Haradinajt, thotë se sivjet s’pati kërkesa për protezat e invalidëve

Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së thotë se nuk ka pranuar kërkesë për protezat e invalidëve veteranë. Sipas njoftimit dërguar nga Zyra e Kryeministrit, duke i reaguar deputetit të AAK-së, Ramush Haradinaj, kërkesa e fundit për proteza ka ndodhur në qeverisjen e kaluar, ku ishte ndarë buxhet dhe se shoqata e invalidëve është në zbatim të asaj kërkese.

Për këtë çështje deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka akuzuar Qeverinë Kurti se nuk po i trajton invalidët e luftës.

“Ato proteza duhet të ndërrohen periodikisht dhe pasi që janë të papërballueshme për xhepin e invalidëve, zakonisht qeveria merr përsipër këto shpenzime. Në mungesë të trajtimit dhe kujdesit për invalidët e luftës nga kjo qeveri, ka pasur organizim nga bashkatdhetarët, në rastin e ndërrimit të protezave për luftëtarët e dalluar të UÇK-së Naim Qerimaj dhe Selmon Hasanaj”, ka shkruar Haradinaj të dielën në Facebook.

“Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së është e hapur për shqyrtim dhe trajtim të çfarëdo kërkese, dhe çështjet e këtilla si ofrimi i protezave për invalidë veteranë do të konsiderohen ashtu siç edhe janë, esenciale. Synim e zotim i joni është institucionalizimi i këtyre shërbimeve, në mënyrë që të ketë organizim e strukturim të ofrimit të tyre dhe kujdesi për invalidët veteranë të jetë maksimal”, thuhet tutje në komunikatë.