Qeveria me komunikatë të pazakontë para mesnate: Kurti uli çmimet, tash udhëton drejt Turqisë

Qeveria e Kosovës po pretendon se kryeministri Albin Kurti i ka ulur çmimet në vend. Kështu, pas kësaj “arritjeje”, ai tani ka vendosur që nesër të niset drejt Turqisë për të marrë pjesë në Forumin e Antalisë. Përafërisht kështu pretendohen në një komunikatë të pazakontë të lëshuar në orët e vona nga Qeveria Kurti, e cila jo në çdo rast tregohet kaq “transparente”.

Në një situatë kur shumica e qytetarëve janë të shqetësuar sesi t’ia dalin deri në fund të muajit me çmimet e rritura thuajse në çdo produkt, Kurti ka vendosur që ta përdor sërish retorikën e tij populiste.

Në një komunikatë të publikuar nga Qeveria e Kosovës pak para mesnatës, Kurti thuhet se ditën e parë të Forumit të Antalisë e anuloi për shkak të zhvillimeve në Kosovë rreth rritjes së çmimeve.

“Ai kishte anuluar pjesëmarrjen në ditën e parë dhe hapëse të Forumit të Diplomacisë në Antali të Turqisë. Gjatë ditës së sotme ishte planifikuar që të merrte pjesë në hapjen e Forumit krahas krerëve të shteteve të ndryshme të botës, të realizonte disa takime bilaterale dhe të merrte pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Arsyeja e anulimit të pjesëmarrjes për ditën e parë ishte situata e krijuar nga rritja e çmimeve të produkteve bazike dhe nevojës për marrjen e masave nga qeveria”, thuhet në këtë komunikatë të Qeverisë, përcjell Fokusi.info.

Sipas kësaj, pasi që kryeministri i paska “zgjidhur” problemet e kosovarëve lidhur me rritjen e çmimeve të produkteve bazike, ai nesër ka vendosur të udhëtojë për në Turqi, ku ndodhen edhe presidentja Vjosa Osmani e kryediplomatja Donika Gërvalla.

Qytetarët e Kosovës ka javë që po përballen me rritje të çmimeve, ndonëse këto ditë rritja ishte “astronomike”. Nga ky muaj, faturat e energjisë elektrike pritet që shumë personave t’u vijnë dyfish më shtrenjtë sesa që kanë paguar deri më tani.

Krejt kjo situatë, vjen pasi Kosova e menaxhoi më së dobëti krizën energjetike, jo vetëm në rajon, por edhe në Europë.

Kurti ka refuzuar projekte të rëndësishme energjetike, duke përfshirë edhe ato amerikane, gjë për të cilën u kritikua shumë.