Qeveria po bën politikë, kryetarët e komunave e dinin se vdekjet nga COVID-19 nuk raportoheshin saktë

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se nga njëmijë e 700 doza të vaksinës brenda një dite rreth një javë më parë sa injektoheshin në qendrën e vaksinimit në këtë komunë tash jepen më pak se 500 doza.

Gjini thotë se punëtorët shëndetësore ishin të gatshëm të punojnë edhe gjatë vikendit por kjo nuk u lejua teksa thotë se kryetarët e komunave e dinin se rastet e vdekjeve nuk raportoheshin saktë nga Ministria e Shëndetësisë.

“Po vërtetohet, ashtu siç kryetarët e komunave e dinin por nuk flisnin sepse nuk donim ta rëndonim gjendjen, se vaksina ka pak. Po ashtu e dinim se rastet e vdekjeve nuk raportoheshin saktë. Numri i vërtetë nuk është raportuar, duke i shtyrë raportimet për disa ditë, ndërsa tani kur rastet janë grumbulluar, dalin shifrat në shesh. Shumica prej nesh jemi kursyer nga komentet, vetëm për të mos e politizuar tragjedinë që na ka kapluar, por qeveria po bën politikë. Shumë keq”.

Gjini vlerëson se pas konferencës së kryeministrin Albin Kurti me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, që u deklaruan pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare hipokrizia shpërtheu.

“Kërkojnë nga qytetarët që të vaksinohen, thuajse qytetarët po refuzojnë të vaksinohen!? Qytetarët nuk po mund të sigurojnë termine për vaksinim, kjo është e vërteta. T’i fajësosh qytetarët kështu?? Kulmi i hipokrizisë”, ka shkruar Gjini në rrjetin social Facebook. /Fokusi.info/