Qeveria vendos masa kufizuese edhe në veri

Qeveria e Kosovës ka vendosur për masa të reja me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe të kontrollit të infeksionit me koronavirus në katër komunat veriore të Kosovës.

Sipas njoftimit, në mbledhjen e 11-të, Qeveria Hoti ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë që duke nisur nga 8 korriku, nga ora 21:00 deri në orën 05:00, të ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.

“Nga kjo ndalesë do të përjashtohen rastet urgjente shëndetësore; rastet e nevojës së kujdesit për të sëmurë, për persona me nevoja të veçanta, në rastet kur të sëmurët apo personat me nevoja të veçanta nuk kanë mundësi të kujdesen për vetveten; rastet e kërkimit të ndihmës nga institucione përkatëse, siç është rasti me viktimat e dhunës familjare; rastet e vdekjes së anëtarit të familjes; dhe rastet e nevojave të përkujdesit ndaj kafshëve shtëpiake, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia. Në asnjë rast nuk lejohet shfrytëzimi i këtyre rasteve për të kryer ndonjë punë tjetër ose për ndonjë qëllim tjetër përveç atij të përcaktuar”, thuhet në njoftim. “Vendimi i miratuar sot nga kabineti qeveritar ndalon hyrje-daljet 24 orë për personat e infektuar, ata të kontaktit dhe personat e dyshuar në Komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok në afat prej 14 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, përveç rasteve të përjashtuara të përmendura më lart”.

Sipas njoftimit, vendimi është propozuar MSH-ja “pas kërkesës, e cila është bërë nga kryetarët e këtyre komunave, të cilët kryesojnë shtabet lokale në Komunën Mitrovicës së Veriut, Komunën e Zubin Potokut, Komunën e Leposaviqit dhe Komunën e Zveçanit”.

“Vendimi është mbështetur edhe në analizimin e situatës epidemiologjike nga profesionistët e fushës në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, meqenëse ka rritje të numrit të qytetarëve, të cilët kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 në komunat përkatëse, me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të COVID-19”, thuhet në komunikatë.

Vendimi vjen një ditë pasi shtabet komunale në këto katër komuna njoftuan se kanë vendosur për të njëjtën masë kufizuese, por edhe për karantinim. Në anën tjetër, kryeministri Avdullah Hoti të mërkurën deklaroi se nuk ka pasur masë karantinimi në veri duke deklaruar se “askush s’mund të vendosë masë të karantinimit, pa marrë vendim Qeveria e Kosovës”.