Ministria e Shëndetësisë: Miratohen protokollet për testimet serologjike

TIRANË – Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njofton se, “bazuar në strategjinë e kontrollit të epidemisë në vend, e cila parashikon përfshirjen edhe të institucioneve jopublike, në funksion të rritjes së kapaciteteve për përballimin e situatës, Komiteti Teknik i Ekspertëve, ka miratuar Protokollin për fillimin testimeve serologjike edhe në strukturat jopublike. Testet duhet të jenë të validuara paraprakisht nga ISHP” .

Sipas MSHMS, vetëm testet serologjike të aprovuara nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të lejohen të përdoren në laboratorë të licensuar jo publikë dhe të njohur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si laboratorë që plotësojnë standardet për kryerjen e testit serologjik, për praninë e antitrupave të krijuar nga Sars-Cov2.

“Ndërkohë, ne do të vazhdojmë me kryerjen e testeve serologjike në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT. Po kështu, është planifikuar fillimi i kryerjes së testimit serologjike në një kampion të popullatës, për qëllime studimore nga Instituti i Shëndetit Publik “-  bën të ditur Ministria.

Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se, “të vetëdijshëm se cilësia dhe siguria e testimit janë thelbësore në strategjinë e kontrollit të epidemisë në vend, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të vazhdojë të ketë në fokus të punës së vet, zbatimin rigoroz të kushteve të sigurisë dhe garantimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve”.

Ministria e Shëndetësisë sqaron qytetarët, mbi testimin për kundërtrupa se: Testimi për kundërtrupa tregon nëse e ke kaluar apo jo infeksionin nga SARS-CoV-2 në të shkuarën, por ky test nuk tregon dhe nuk duhet përdorur për të evidentuar infeksionin aktual. Do të duhen të kalojnë 1-3 javë pas infeksionit, që trupi të prodhojë kundërtrupat. Këto rezultate janë të rëndësishme për të informuar mbi personat që mund të kualifikohen si dhurues të gjakut, i cili mund të përdoret për të përgatitur plazmën konvaleshente, një produkt i cili po shihet për t’u përdorur tek personat që janë shumë të sëmurë me COVID-19.

“Sido që të jetë rezultati i testimit, pozitiv apo negativ, përsëri duhet të merren masa mbrojtëse për veten dhe të tjerët.

Vetëm testet serologjike të aprovuara nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të lejohen të përdoren dhe të vlerësohen.

Këto teste mund të përdoren në laboratorë publikë dhe privatë. Po ashtu, këto teste përdoren në studimet e Seroprevalencës, ku ISHP vlerëson numrin total të njerëzve që janë infektuar, përfshirë këtu edhe ato infeksione që nuk janë identifikuar”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale./atsh