Ragmi Mustafa për regjistrimin e shqiptarëve të Luginës: Jemi mbi 100 mijë

Ragmi Mustafa, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) në Luginën e Preshevës është shprehur i kënaqur me regjistrimin e popullsisë në Luginën e Preshevës.

Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se shqiptarët në Kosovën Lindore janë mbi 100 mijë, shkruan Demokracia.com.

“Ne dëshmuam se mundemi dhe dimë të realizojmë regjistrim e popullsisë. Shqiptarët në Kosovën Lindore janë mbi 100 mijë.”, ka shkruar Mustafa.

Ai i ka reaguar edhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq i cili ka thënë se nuk do të dihet më numri i saktë i shqiptarëve në Serbi, sepse shumë familje në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë regjistrojnë anëtarë që nuk jetojnë në Serbi.

“Pas deklaratës tendicioze të presidentit të Serbisë, ftojë bashkësinë ndërkombëtare të monitorojë dhe të mos e lejojë shtrembërimin e shifrave në përfundim të procesit për regjistrimin popullsisë në Kosovën Lindore. Kërkoj monitorim në punën e Entit Republikan të Statistikave me përfaqësues shqiptarë gjatë përllogaritjes së rezultateve preliminare të regjistrimit të popullsisë.”, ka shkruar Mustafa.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se regjistrimi, i cili është në vazhdim, nuk do të dihet më numri i saktë i shqiptarëve në Serbi, sepse shumë familje në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë regjistrojnë anëtarë që nuk jetojnë në Serbi.

“Ajo që aktualisht është e shënuar dhe ajo që qëndron gjatë natës, sigurisht që nuk është i njëjti numër. Babai dhe nëna raportojnë dy fëmijët e tyre që nuk jetojnë prej 4 vitesh, por ndodhen jashtë vendit. Dëshira jonë është që të gjithë të kthehen në Serbi, të gjithë janë qytetarë të Serbisë dhe është mirë që të punojnë e jetojnë këtu sepse kontribuojnë në GDP-në e vendit tonë – tha Vuçiq.