Raka: Nëse mostrat nuk janë 24 orëshe, duhet të njoftohet opinioni

Sot është mbajtur mbledhja e parë e Bordit këshillëdhënës për COVID-19, ku kanë marrë pjesë edhe dy ish-ministra të shëndetësisë, Imet Rrahmani dhe Ferid Agani.

Lul Raka, kryesues i këtij bordi është deklaruar edhe për vonesën e dhënies së rezultateve për qytetarët, ankesa këto të paraqitura nga disa komuna përmes mediave.

Sipas Rakës, nëse mostrat e publikuara nuk janë 24 orëshe, por të ditëve më herët, duhet të njoftohet opinioni për këtë.

“Themelimi i këtij Bordi ashtu siç e përmendi ministri është që çdo veprim që merret për parandalim e COVID-19 të ketë prapavijë shkencore. Rezultatet po publikohen dhe e jona është të japim këshilla më të mira të mundshme për situatën aktuale. Nëse mostrat e 24 orëshit kanë qenë të ditëve të kaluara dhe jo të 24 orëve duhet të njoftohet opinioni publik”, është deklaruar Raka.

Gjatë ditës së sotme nga 419 mostra të testuara, kanë rezultuar pozitive 241 mostra, duke e cuar numrin e të infektuarve në 6,286.