Raka: Trendi i rritjes së numrit të rasteve është shqetësues, po ngarkohet kapaciteti shëndetësor

Mikrobiologu Lul Raka, në një postim të fundit të bërë në Facebook, ka reaguar pas konfirmimit të 96 rasteve të reja me COVID-19, derisa java që po lëmë pas kishte numrin më të madh të të infektuarve në Kosovë.

Raka ka thënë se ky trend i rritjes është shqetësues, derisa sipas shtylla kryesore e përgjigjes ndaj pandemisë është kapacitet shëndetësor i Kosovës, i cili sipas tij po ngarkohet dita ditës.

Ai ka apeluar për zbatim të këshillave, ndërsa edhe politikanëve u ka dhënë një mesazh.

Ky është postimi i plotë i tij:

Të dashur qytetarë të Kosovës,

COVID-19 NUK është rrenë! Mund të prek TY ose më të dashurit Tuaj!

Trendi i rritjes së numrit të rasteve në javën e fundit është shqetësues. Shtylla kryesore e përgjigjes ndaj pandemisë është kapaciteti shëndetësor i Kosovës, i cili po ngarkohet dita ditës!

Kësaj rritje i kemi kontribuar të gjithë: qytetarët, të cilët nuk i përfillin fare masat parandaluese. Por, edhe politikanë, të cilët vazhdojnë ta përdorin COVID-19 si monetë për kusuritje të ndërsjelltë.

Qytetarë të dashur, Ju lutem t’i zbatoni këshillat sot, sepse nesër mund të jetë vonë:

1. Mbani distancën fizike kudo dhe gjatë tërë kohës. Kjo është komponenta kryesore në parandalim!

2. Në vendet ku nuk mund të mbahet distancë, vendosni maska!

3. Mbani higjienën e duarve!

Politikanë të nderuar: Ju lutemi kthjelluni, bashkohuni dhe tregoni lidership në këto kohë të vështira.

Parandalimi i sëmundjes është arma e vetme në duart tona!

Vetëm së bashku e përballojmë këtë sfidë!