Rama: Albulena Haxhiu është seksere e Faton Dalladakut, mori para nga ai

Ish-kryeshefi i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar (AAPSKI), Rrahim Rama ka akuzuar rëndë ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Si mysafir në Frontal, në T7, Rama e ka quajtur Haxhiun seksere të Faton Dalladakut, duke thënë se minstrja e Drejtësisë ka marrë para nga biznesmeni.

“Jo, për besë, nuk jam i shqetësuar, por me vjen keq. Unë kam qenë 15 vjeçar i burgosur, 16 vjet i kam bërë në burg. E të vijmë në këtë gjendje ta përjetojmë kohën e Millosheviqit. Unë jam duke e përjetuar këtë kohë. Është rëndë që njerëzit që kanë bërë gjithçka për këtë vend… edhe vjen një seksere e Faton Dalladakut, se kjo është seksere e tij. Albulena është seksere e Fatonit. Krejt Kosova e di kush është Fatoni”, ka thënë Rama në Frontal.

Rama ka shkuar edhe më tej, duke thënë se Dalladaku i ka dhënë para në zarf Haxhiut.

“Kjo veç që ka marrë pare në zarf nga Fatoni, kjo ka marrë pare edhe në konto. Kjo është pjesë e grupit të Fatonit, kjo është direkt në spitalet e Fatonit e involvuar. Do të dalin, se është duke u hetuar. Dhe besoj se spitali i Dalladakut do të konfiskohet, nëse qeveria kthehet në rrugë të mbarë”, ka thënë Rama, duke e quajtur fatkeqësi për MD-në që udhëhiqet nga Haxhiu.

“A nuk është fatkeqësi për vendin që Minstrinë e Drejtësisë ta udhëheqë një bashkëpunëtore e Faton Dalladakut?”, ka thënë Rama.

Pas kësaj interviste, ka reaguar i përmenduri, Faton Dalladaku, i cili ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj Ramës.