Rama i përgjigjet Haradinajt: Patriotët në Facebook kanë ngrënë e kanë pirë me palën serbe për 5 vite me radhë

Deklaratave të kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur sot homologu i tij i Shqipërisë. Edi Rama u shpreh në përfundim të tryezës së “mini-shengenit” se patriotët në Facebook po bëjnë sikur kanë rënë nga qielli.

Ai u pyet nëse ndjen përgjegjësi për mungesën e Prishtinës në takimet e liderëve të Ballkanit. “Ka pesë vjet që procesi mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur dhe u kujtoj se kanë ngrënë e kanë pirë nëpër tryeza me palën serbe në Bruksel e kudo. Dhe kanë bërë mirë. Di t’ju them se Kosova po humbet respekt dhe çfarëdo tjetër me qëndrimet e saj. Zgjidhjet duan durim dhe dialog, e jo përgjigje qorrash në Facebook” – tha Rama.

Ai shtoi se do të ndihej përgjegjës nëse Kosova nuk do të ishte ftuar, por jo në këtë rast. “Përmes kësaj nisme, ne çlirojmë të gjitha potencialet. Sa herë janë bërë deklarata patriotike për hapjen e kufirit, ne e hapëm kufirin. Sot Serbia po vjen në tavolinë pa kushte për Kosovën” – tha kryeministri.

Më herët Ramush Haradinaj u shpreh se Kosova kërkon një Shengen me kryeqytet Brukselin dhe jo Beogradin.