Rama në KiE: George Uashingtoni i Kosovës po gjykohet nga raporti i Vladimir Putinit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet në Islandë ku po merr pjesë në samitin e KiE-së. Ky samit dy ditor ka bërë bashkë udhëheqësit evropianë me qëllimin për të vënë Rusinë para përgjegjësisë së saj për luftën në Ukrainë.
Në fjalën e tij, Rama përmendi akuzat e hedhura ndaj Hashim Thaçit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në raportin e 2011-ës, i cili sipas kreut të qeverisë e pati zanafillën pikërisht në këtë këshill.

“Sot në samitin e Këshillit të Evropës nuk rri dot pa kujtuar se padrejtësia kundrejt luftës çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësit të saj Hashim Thaçit nisi saktësisht në Këshillin e Evropës nën ndikimin dashakeq të ish-anëtarit të këtij këshilli, Federatës Ruse.

Siç iu referua dhe Joe Biden, Uashingtoni i Kosovës gjykohet tanimë nga një gjykatë e ngritur dhe themeluar nga bota demokratike, por e mbështetur në një raport të 2011-ës të Këshillit të Evropës. I cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga përfaqësuesit e Vladimir Putinit në asamblenë e Këshillit të Evropës. Akuza terësisht të pabazuara të trafikimit të organeve njerëzore u ngritën atëherë si pikënisja e një fushate kriminale të njollosjes së Shqipërisë dhe Kosovës.”

Rama theksoi se Asambleja e Këshillit të Evropës duhet ta tërheqë mbrapsht atë raport të turpshëm.

“Dhe kur dëgjova propagandën e Kremlinit të flasë për trafikim të organeve njerëzore mu duk sikur pashë presidentin Zelenskiy 10 vjet më vonë gjykuar nga një gjykatë e veçantë me të njëjtat akuza absurd. Ndjesë për këtë çelje brutalisht jo konvencionale që mund t’ju duket se në copa thyen atë piano ku në mënyrë të mrekullueshme u luajt Ave Maria e mikëpritësit tanë. Por, është tejet dekurajuese të dish që situata ku përfshihet presidenti i Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare pati zanafillën brenda Këshillit të Evropës. Do ndihesha fajtor e të heshtja apo mos flisja për sa vijon. Asambleja e KiE-së ka detyrimin moral të korrigjojë çdo gabim e në këtë rast duhet të tërheqë mbrapsht raportin që në mënyrë të rreme etiketoi Shqipërinë si bazë të trafikimit të organeve.

Të refuzosh të përballesh me të vërtetën sot do të ishte më keq se sa të bëhej ky gabim i rëndë 12 vjet më parë ku shumë votuan me sy mbyllur atë raport të turpshëm. Sigurisht situata ka ndryshuar, Rusia nuk është më anëtare e këtij Këshilli edhe pse numri i rusëve që punojnë për Këshillin e Evropës është mjaft mbresëlëns. Shqipëria nuk ka pasur iluzione për natyrën e regjimit të Moskë dhe marrëdhënia jonë me Moskën ka qenë jo ekzistuese.

Mos më kërkoni të shpjegoj si e pse, se do më duhej më shumë kohë se ç’iu desh udhëtimit tonë për në Islandë. Qysh prej fillimit të luftës popullariteti i Vladimir Putinin është luhatur në Shqipëri nga 0.7 % në 1.2%. Shqipëria është mjaft e vogël për të ndikuar fatet e një lufte kaq vendimtare për të ardhmen e Europës dhe të botës, por çdo gjë të vogël që kemi bërë për Ukrainën e kemi bërë me mirënjohjen më të thellë ndaj qëndresës ukrainase. Kjo është arsyeja pse gjëja më e bukur që ne shqiptarët do të marrin nga ky samit, kaq i mire organizuar nga mikpritësit tanë islandezë.

Faleminderit Katrinë, faleminderit Islandë për atë që çka bëtë në mënyrë kaq të vendosur dhe kurajoze duke shkundur statusquo-në e duke e përshirë Kosovën më së fundi në këtë komunitet të madh, pra është bindja e të të gjithëve këtu e shprehur në mënyrë kaq elokuente nga disa kolegë. Nuk është presidenti Zelensky që duhet të na falenderojë, por ne që duhet të falënderojmë Ukrainën për të atë që po bën për të gjithë ne e për Europën tonë të dashur. Ju falënderoj të gjithëve dhe do të nënshkruaj me shumë kënaqësi marrëveshjen për regjistrimin e dëmeve para se të largohem nga ky vend i hirshëm. Zoti e bekoftë Europën e gjithashtu Zoti e shpëtoftë Ukrainën”.