Rama: Samiti sot u mbyll me diskutime të frytshme dhe me një ndjenjë të vërtetë miqësie

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur pas përmbylljes së ditës së parë të samitit të Procesit të Berlinit sot në Tiranë.

Ai, në një konferencë për media, ka falënderuar kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për pjesëmarrje dhe kontributin e dhënë për samitin dhe Ballkanin Perëndimor.

“Ndërsa samiti u mbyll me diskutime mjaft të frytshme, me shkëmbime vërtet të hapura me një ndjenjë të vërtetë miqësie. Nuk do të gjeja kurrë fjalët e duhura për të falënderuar kancelarin gjerman, Olaf Shcolz, që ka qenë i hapur për ta sjellë idenë e Procesit të Berlinit në Tiranë, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që i dha këtij samiti diçka thelbësore përmes planit të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Rama.

Ai ka përmendur edhe luftën që është duke u zhvilluar në Izrael dhe Gaza.

“Një moment i vështirë në kohë për çdo kënd, sfidat që ne përballemi së bashku janë të jashtëzakonshme për shkak të krizave të njëpasnjëshme që kanë goditur. Nuk duket se gjërat bëhen më mirë se sa të përkeqësohen në shumë fronte, përshirë frontin e konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, këto kohë kanë farkëtuar bashkëpunimin dhe miqësinë tonë. Falë udhëheqjes së BE-së, ajo çka ka ndodhur është shfrytëzuar për të parë përpara me një besim më të fortë kundrejt Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Rama.