Rama: Serbia nuk duhet të ndihet e rrezikuar nga bashkëpunimi Shqipëri – Kosovë, reagon Daçiq

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi, në Samitin e Polonisë, se Beogradi nuk duhet të ndjehet i sulmuar nga politika e jashtme e Kosovës.

Po ashtu, Rama tha se Serbia nuk duhet të ndihet e rrezikuar nga bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe Tiranës zyrtare.

“Komentet nga Beogradi nuk janë arsye që duhet të diskojmë, sikur Beogradi ka të bëjë me të vërtetën. Serbia ka një pozicion, ka një opinion, unë e respektoj, ne kemi pozicionet tona, opinionet tona. Ne punojmë me pozicionet tona dhe opinionet tona. Ajo që kemi bërë me Prishtinën, ishte gjëja e duhur për ta bërë. Duhej bërë më herët”, ka deklaruar Rama.

Më tej, kryeministri shqiptar theksoi se Shqipëria dëshiron që të forcojë bashkëpunimin me Kosovën dhe kjo, sipas tij, është krejtësisht normale.

“Në të njëjtën mënyrë do të doja që të shihja bashkëpunimin me Serbinë duke u rritur dhe forcuar dhe të lëvizim përpara. Nuk e shohë pse Serbia duhet të ndihet e sulmuar.”, tha Edi Rama.

Kjo deklaratë i ka ‘djegur’ ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq. Ai u mundua që me deklaratat e tij të jetë ironik por doli qesharak.

“Prishtina nuk mund të jetë e pavarur në kryerjen e politikës së jashtme pasi ajo është pjesë e Serbisë dhe për këtë arsye Rama është dashur që të flas me Beogradin për të arritur marrëveshjen dhe unë jam i sigurt se në këtë mënyrë nuk do të ndihesha i kërcënuar”, tha ai për Tanjug.

Tutje, Daçiq tha se projekti i ‘Shqipërisë së Madhe’ nuk është më sekret.

“Ky plan dhe projekt nuk është më i fshehur, as nuk është një komplot sekret. Përpjekjet për ta realizuar atë ndodhin para syve të të gjithëve”, përfundoi diplomati serb.