Rama shkarkon nënkryetaren e Prishtinës nga radhët e PDK-së, në vend të saj emëron një të LDK-së

Kryetar i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se ka ristrukturuar kabinetin qeverisës në kryeqytet.

Ndër ndryshimet që ka bërë në kabinetin qeverisë është edhe shkarkimi i nënkryetares së kryeqytetit nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu, e cila gjithashtu ka ushtruar edhe detyrën e drejtoreshës së Arsimit.

Në vend të saj është emëruar Jehona Lushaku -Sadriu nga LDK-ja.

Rama ka thënë se Sahatçiun e ka shkarkuar nga detyra pasi që ka vlerësuar se ka ngecje në fushën e digjitalizimit, e cila është udhëhequr nga ajo.

“Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësoj e modernizoj institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, znj. Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit. Dr. Jehona Lushaku – Sadriu, e kam emëruar Nënkryetare të Kryeqytetit dhe Ushtruese e Detyrës së Drejtores së Arsimit. Dr. Lushaku – Sadriu është profesoreshë e mirënjohur universitare me arritje të shumta profesionale”, ka shkruar Rama në Facebook.

Rama ka njoftuar se ka bërë bashkë edhe drejtorin e Planifikimi me atë të Urbanizmit, duke e larguar nga kabineti kështu drejtoreshën e deritanishme të Planifikimit Strategjik, Mimoza Sylejmani.

“Në fushën e funksionimit dhe menaxhimit më të mirë të sektorëve të Planifikimit e Urbanizmit, kam marrë vendim që të bashkoj këto dy drejtori në një Drejtori të vetme, në krye të së cilës do të jetë arkitekti i njohur, z. Arbër Sadiki. Dua të falënderoj Drejtoren e deritanishme të Planifikimit Strategjik znjsh. Mimoza Sylejmani për punën dhe përkushtimin e saj profesional. Znjsh. Sylejmani ka marrë përgjegjësinë e këshilltares për planifikim brenda kabinetit tim”, ka shkruar Rama.

Rama ka njoftuar gjithashtu se ka vendosur që drejtoria e Pronës dhe drejtoria e Kadastrit të shkrihen në një Drejtori të Pronës dhe Kadastrit, e cila do të udhëhiqet nga Doruntina Maloku, ndërsa, drejtori i deritanishëm i Kadastrit, Donat Lushaku, sipas Ramës do të emërohet në pozitën e zëdhënësit të kryeqytetit.

E në vend të Ilirik Musliut, drejtorit të Shërbimeve Publike të shkarkuar javën që shkoj Rama ka emëruar Bekim Brestovcin.

“Pas lirimit nga detyra të Drejtorit të Shërbimeve Publike, sot, kam emëruar z. Bekim Brestovci, një profesionist me përvojë shumëvjeçare në Gjermani dhe Kosovë, si Drejtor të ri të Shërbimeve Publike. Pres nga ai që të ndërmerr menjëherë, të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë fund problemit të mbeturinave dhe të gjitha çështjeve tjera që ndërlidhen me fushëveprimin e kësaj drejtorie”, ka shkruar Rama.

Ai ka njoftuar se ka formuar edhe një drejtori të re.

“Në funksion të përshpejtimit të transformimit të Kryeqytetit dhe avancimit të standardeve të ndërtimit dhe sigurisë së qytetarëve, kam vendosur që të themeloj Drejtorinë për Transformim. Në krye të saj, kam emëruar arkitektin e njohur, z. Ilir Murseli. Kjo drejtori do të ketë në fushëveprim të saj edhe zhvillimin e projekteve madhore, përfshirë përgatitjet infrastrukturore për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030”, ka shkruar Rama.

Ai ka thënë se ky është ristrukturimi i parë i qeverisjes në kryeqytet, siç ka shkruar, në të mirë të Prishtinës dhe qytetarëve të saj, pa dallim.

Rama në këtë status ka shkruar edhe për problemin me qentë endacakë dhe ka thënë se i ka kërkuar drejtorit për Siguri dhe emergjenca zgjidhje të problemit deri në fund të këtij viti.

“Një çështje tjetër që po preokupon shumë qytetarët e Prishtinës dhe ende nuk i kemi dhënë zgjidhje, janë qentë endacakë. Andaj, sot kam kërkuar nga drejtori për Siguri dhe Emergjenca që të ndryshojë gjendjen në mënyrë substanciale deri në fund të këtij viti. Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve, për mua është një prej elementeve më të rëndësishme të qeverisjes”, ka shkruar Rama.

KOHA