Grenell paralajmëron nëse Kurti u thotë “jo” ndërkombëtarëve: I kam parë pasojat, nuk janë të hijshme

Ish-përfaqësuesi special i ish-presidentit amerikan Donal Trump, Richard Grenell ka reaguar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti.

Grenell, që dikur e luante rolin e ndërmjetësuesit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, shkroi rreth pasojave të mundshme nëse kryeministri Albin Kurti u thotë “jo” kërkesave të ndërkombëtarëve.

Ai ka shkruar se i ka parë pasojat e mundshme, duke thënë se nuk janë të hijshme.

“Kurti nuk e kupton se çfarë po ndodh me Kosovën. Komuniteti ndërkombëtar i ka dhënë atij një afat deri të premten për t’iu përmbajtur angazhimeve që vendi i tij ka marrë më parë. Miqtë e mi në Kosovë duhet të përgatiten për pasoja të rënda nëse Kurti nuk pajtohet. Unë i kam parë pasojat dhe nuk janë të hijshme” – shkroi Grenell.