Rama takon kreun e Pfizer: Brenda shkurtit të nisë vaksinimi në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka publikuar një foto me drejtorin e Përgjithshëm të Kompanisë Pfizer, e cila ka prodhuar vaksinën e parë të koronavirusit me efikasitet 95%.

“Takimi pozitiv me bosin e Pfeizer, Albert Burla, në qendrën e kompanisë prodhuese të vaksinës në Nju-Jork, përmbylli komunikimet tona të kësaj vizite kërkimore për të siguruar vaksinën për Shqipërinë – një sfidë e jashtëzakonshme në kushtet e një kërkese globale marramendëse”, shkruan kryeministri në një postim në Facebook.

Rama thekson se ambicia e qeverisë shqiptare është që brenda shkurtit të nisë vaksinimi.

“Ambicia jonë është që brenda dy muajve të parë të vitit të ri të nisim vaksinimin! Duket e pamundur po ne do t’ia dalim”, shkruan ai.

Postimi i plotë:

Takimi pozitiv me bosin e Pfizer, Albert Burla, në qendrën e kompanisë prodhuese të vaksinës në Nju Jork, përmbylli komunikimet tona të kësaj vizite kërkimore për të siguruar vaksinën për Shqipërinë – një sfidë e jashtëzakonshme në kushtet e një kërkese globale marramendëse.

Prodhimi është ende shumë më i ulët se sa kërkesa botërore! Por ambicia jonë është mos mbetemi mbrapa në radhën e stërgjatë të shteteve që kërkojnë vaksinën! Përveç kanalit të sapo hapur për vaksinën Pfizer do hapim në vijim edhe kanalet për vaksinat Moderna dhe Astrazeneca.

Ambicia jonë është që brenda dy muajve të parë të vitit të ri të nisim vaksinimin! Duket e pamundur po ne do t’ia dalim, pavarësisht vështirësisë së skajshme në këtë situatë për të gjithë, ku sidoqoftë vendet më të vogla e me të ardhura më të ulëta janë dhe më të dizavantazhuarat!