Ramosaj: Deçani u godit padrejtësisht nga urdhri ekzekutiv i Kurtit

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka reaguar ndaj urdhrit të qeverisë së Kosovës së prirë nga Albin Kurti  për Agjencinë Kadastrale që ta regjistrojë pronën e Manastirit të Deçanit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ramosaj në një postim në rrjetin social Facebook, ka thënë se është urdhër ekzekutiv i Kurtit me të cilin është goditur padrejtësisht Deçani.

“Deçani së pari është goditur padrejtësisht në vitin 2008, kur u krijua “Zona e Veçantë e Mbrojtur”, e cila bëri ndalimin e plotë dhe kufizimin e pajustifikueshëm në:- ndërtimin e rrugës; – ndërtimin e shtratit të Lumbardhit; – në ndalimin e shfrytëzimit të “Pushimores së Fëmijëve”; – e ndaloj plotësisht zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin në prona private brenda kësaj zone”, ka shkruar Ramosaj.

“Parku Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” të vitit 2012, i cili e ndaloi dhe kufizoi mundësinë për të jetuar më mirë në këtë qytet, mundësinë e zhvillimit të kësaj komune, implementimin e shumë projekteve strategjike, të cilat tani më është dashur të jenë të përfunduara. Park Nacional i cili është bërë pengesë shtesë e zhvillimit ekonomik”, ka shtuar ai.

Ai ka numëruar edhe vendime të tjera.

“Vendimi për fillimin e bypass-it, ndërrimin e destinimit të rrugës R108 – viti 2014. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016, për 24 hektar të pronave, i cili vendim u zbatua sot, nga Agjencioni Kadastral i Kosovës me urdhëresë të Kryeministrit. Qe tri vite po pres që ky kryeministër të më takoj një herë të vetme, për të diskutuar edhe për këtë temë për të cilën dha Urdhër Ekzekutiv sot!”, ka shkruar ai.

“Kur nuk je i zoti të bësh një hajr në këtë vend, është mirë të mos i bësh as sherr këtij vendi”, e ka porositur Ramosaj kryeministrin Kurti krejt në fund të postimit.