Raportimet se KFOR-i e ndaloi ministrin Krasniqi hyrjen në Komunë, reagon kryetari i Zveçanit

Ish-Inspektori i Përgjithshëm në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani, ka shkruar se Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, nuk është lejuar të hyjë në objektin e Komunës së Zveçanit nga KFOR’i për ta takuar Kryetarin Ilir Peci.

Sipas tij, ngjarja ka ndodhur më 29 janar.

“KFOR-i nuk lejoi ministrin Elbert Krasniqi të hyjë në objektin e Komunës së Zveçanit. Ngjarja ka ndodhur këtë të hënë, më 29 janar 2024, në orët e pasdrekës derisa Ministri i Qeverisë së Kosovës shkoi për ta takuar Kryetarin e Komunës së Zveçanit”, ka shkruar Ramadani.

Por këtë Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci e ka mohuar.

Në një prononcim për Front Online, kryetari Peci ka thënë se nuk ka pasur takim me ministrin Krasniqi këto ditë dhe se nuk qëndrojnë deklarimet se i njëjti nuk është lejuar të hyjë në objektin e Komunës.

“Jo, nuk është e vërtetë. Në Komunën ku kam ndejt prej ditës së parë. Nuk kemi pas diçka ndonjë takim kështu. Nuk qëndron se nuk u lejua me ardh se këtu mundet me ardh kush të do pa problem, por nuk kemi pas diçka ndonjë takim”, ka dekaruar Peci.

Pikërisht për këtë çështje, Front Online ka kërkuar një përgjigje edhe nga ministri Elbert Krasniqi, mirëpo deri në publikimin e lajmit nuk ka kthyer asgjë.