Rasti Gucati e Haradinaj: Gjykatësi hedh poshtë kërkesën që dëshmitari të jetë i mbrojtur

Gjykatësi në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, Charles L. Smith, ka hedhur poshtë kërkesën që dëshmitari i katërt në këtë rast të jetë i mbrojtur.

Ai ka dhënë argumentet se pse nuk e miratoi kërkesën që këtij dëshmitari t’i jepet statusi i “dëshmitarit të mbrojtur”.

“Trupi gjykues kujton se ka mohuar kërkesa të tilla të mëparshme nga ZPS-ja dhe nga dëshmitarë të mbrojtur, sepse pretendimet e dëshmitarit konkret ishin se ai apo anëtarë të tjerë të ZPS-së mund të ishin në rrezik. Kërkesa aktuale nuk është e ndryshme nga kërkesat e mëparshme që i janë drejtuar trupit gjykues. Trupi gjykues gjithashtu kujton gjetjet e tij në vendimin për masat mbrojtëse. Stafi i ZPS-së bie nën kategorinë e dëshmitarëve apo personave të cilët janë në të njëjtin pozicion si policia dhe autoritetet e tjera hetimore dhe është pjesë e natyrës së tyre që të japin dëshmi para trupit gjykues, për pasojë kjo kërkesë rrëzohet”.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej 25 shtatorit të vitit 2020, kur edhe ishin arrestuar në Prishtinë.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike./Fokusi.info/