Rasti i Kumanovës, shumë paqartësi dhe prapaskena (VIDEO)

Janë mbushur pesë vjet nga rasti i Kumanovës dhe se kjo ngjarje ende vazhdon të jetë e pazbuluar, pas dyshimeve për involvime dhe inskenime nga struktura shtetërore të zbulimit.

Mëngjesin e 9 majit, banorët e Kumanovës u zgjuan papritur nën zhurmën e armëve, ndërsa gjithë arena e pë rleshjes po zhvillohej në lagjen e njohur si “Lagja e Trimave”, e banuar me shumicë shqiptare, përcjell INA.

Forcat policore po shkëmbenin zjarr me një grup të arma tosur të përbërë nga veteranë të njohur të UÇK-së, të cilët kanë thënë se kishin ardhur me ftesë të bashkëluftëtarëve të tyre për shkak të pakënaqësive me pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, por edhe se ishin të mashtruar përmes skenareve të errëta.

Ngjarja kishte një epilog të rëndë pasi që u vranë 8 pjesëtarë të policisë, 37 të plagosur, ndërsa nga pala tjetër u vranë 10 veta. Në mesin e të vrarëve ishin edhe Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj, dy emra të njohur të luftërave të UÇK-së në Kosovë, por edhe në Maqedoni.

Pjesëtarët e Grupit të Kumanovës pas një thirrje për tu dorëzuar por me ndërmjetësimin e OSBE, ata e bën këtë veprim dhe u dorëzuan, duke i dhënë fund shkrepjes së armëve. Mirëpo ngjarja nën rrebeshin e plumbave vijoi edhe më 10 maj, kur policia përfundimisht u tërhoq.

Grupi i Kumanovës u dorëzua, dhe pas pesë muajve u ndaluan edhe shtatë persona të tjerë për ndihmë logjistike. Në shkurt të 2016 nisi procesi gjyqësor ku në bankën e të akuzuarve dolën 37 të akuzuar, pjesëtarë të Grupit të Kumanovës, të cilët prokuroria i ngarkoi me akuzë për veprime terr oriste.

Seancat ishin maratonike, ku pjesëtarët e Grupit denonconin se kjo ngjarje është e inskenuar nga politika dhe shërbimi sekret në Maqedoni. Denoncimet ishin edhe për likuidim të Beg Rizajt dhe Mirsad Ndrecajt, por edhe disa pjesëtarëve të grupit, pas arrestimit.

Kërkesa kryesore ishte që të ketë hetim ndërkombëtar për të zbardhur të vërtetën, pasi që shumë dëshmi dhe dëshmitarë nuk u pranuan nga gjykata.

Në mesin e dëshmitarëve që kërkoheshin për dëshmi ishin edhe emrat e politikanëve të qeverisjes së kaluar VMRO-DPMNE dhe BDI, por edhe një agjent i njohur shqiptar, që ishte pjesë e disa bisedave të përgjuara pikërisht për rastin e Kumanovës. Ky agjent i mirënjohur kurrë nuk u thirr si dëshmitar.

Procesi gjyqësor zgjati dy vite ku më në fund u shqiptuan 746 vite burg për 26 veta, ndërsa 7 veta nga grupi u dënuan me burgim të përjetshëm. Nga të akuzuarit, 19 veta janë shtetas të Kosovës, një nga Shqipëria dhe të tjerët nga Maqedonia. Vetëm katër persona të akuzuar për logjistikë nga Maqedonia janë liruar tërësisht nga akuzat.

Me burg të përjetshëm u dënuan Andi Krasniqi-Malisheva, Demë Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Bekiri, Valdet Zekaj, Beg Bajra dhe Fejzulla Rushitovski. Me 40 vite burg u dënuan: Sami Ukshini – Sokoli, Esat Kafexholli, Ardian Bujari, Shefqet Hallaçi, Betim Kabashi, Genci Sefaj, Enver Hoxha Klein, Rufki Dogani, Bajram Elshani, Nexhmedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari, Fatmir Reçica.

Me 20 vjet burg janë dënuar Kenan Isni, Fadil Elshani, Lirim Demiri, Hajrush Abdia, Landrit Rrustemaj, Mirsad Qerimi.

Musadik Pajaziti dhe Ebip Aliji janë dënuar me nga 12 vite burg. Arsim Bajrami dhe Elham Arifi nga 13 vite. 14 vite iu shqiptuan Seadudin Abdullait ndërsa 18 vite Ragmi Latifit.

Procesi ka vijuar në instancat e tjera gjyqësore, pas ankesave të të dënuarëve. Qeveria aktuale kishte premtuar hetim ndërkombëtar për të zbuluar të vërtetën, megjithatë asgjë nuk u ndërmorr. Po ashtu ky rast nuk kaloi as në Prokurorin tashmë të shuar Speciale, e cila kishte materiale të përgjimeve pikërisht për këtë rast. Edhe pas pesë viteve misteri për Lagjen e Trimave vijon dhe akoma nuk dihet vërtetë se çka ndodhi, kush ishin organizatorët e vërtetë dhe çfarë ishte qëllimi të arrihej në lagjen më të varfër të Kumanovës. (INA)